Egnatia humbi ndaj Tiranës me shifrat 3-0, një disfatë që do t’iu kushtojë rrogozhinasve pasi ndodhen në vendin 8-të në tabelën e klasifikimit.
Trajneri Zekirija Ramadani ua faturon humbjen mungesave të Pedros dhe Duranskit, që sipas tij ndikuan në takimin e sotëm.
Humbja ndaj Tiranës: “Ne ashtu e filluam të penalizuar, duke pas jashtë Pedron dhe Duranskin, por mendoj se goli i parë ndikoi psikologjikisht te ne që u bllokuam, ndërsa Tiranës I dha adrenalinë. Unë mendoj se futbollistët dhanë maksimumin nuk jemi as të parët as të fundit që mundemi nga Tirana, pasi ata luajnë pa presion tani. Mendoj që ekipi më i mirë fitoi sot.”
A mund të përgatitej ndryshe skuadra duke ditur që kishte përballë Tiranën? “Gjithë përgatitja pas minutës së tretë ndryshon pastaj, kur je në disavantazh që në fillim. Nëse do kishim mbajtur pjesën e parë pa gola situata do ishte ndryshe, do mund të kishim marrë një pikë. Nuk mundëm që të ndalnim avantazhin e Tiranës dhe iu uroj fitoren.”
A mendon se iku Kastrioti, apo mendoni se ka garë të hapur dhe me ta? “Patjetër që duhet të shpresojmë, mendoj se dhe Skënderbeu nuk ka humbur shpresat për Play-out. Duhet të japim maksimumin dhe të mos e konsiderojmë veten të rrëzuar, kemi para Kastriotin dhe Skënderbeun dhe do bëjmë maksimumin dhe pas tyre do mund të flasim.”
Mungesa e Pedros dhe Duranskit: “U pa sot, pa mohuar punën e Maganit, por edhe ekipi kur ka Pedron dhe Duranskin luan më mirë dhe më i sigurt.” /f.a/abcnews.al