Egnatia siguroi fitoren e dytë rresht në kampionat, ku këtë herë mposhti në duelin direkt për mbijetesë skuadrën e Dinamos.
Një 3 pikësh shumë i rëndësishëm ky për skuadrën rrogozhinase, ku bëri një lojë të mirë, teksa nga një gol për secilën pjesë i mjaftuan për të marrë fitoren.
Pas ndeshjes trajneri Zekirija Ramadani do të shfaqej i kënaqur me fitoren, por theksoi se skuadra nuk duhet të kaplohet nga euforia pasi ndeshje më të vështira e presin në fazën 4-të.
Fitorja ndaj Dinamos: “Unë mund të flas vetëm për ekipin tim, skuadra ishte e karikuar në maksimum. Na ndihmoi edhe ndeshja e Dinamos me Tiranën, i bëmë një analiza të mirë. I uroj futbollistët për angazhimin. Pedro ka një forcë të jashtëzakonshme. Mendoj se e merituam fitoren dhe jam i lumtur me këtë fitore, por kërkova që të rrimë me këmbë në tokë që mos e pësojmë.”
Mbrojtja: “Te fitorja shoh që portën duhet ta mbajmë të paprekur, kjo më bën të lumtur dhe ka një vlerë të veçantë për mua.”
Goli i anuluar: “Gjithmonë jam mësuar të them të drejtën, te këndi ku isha unë mu duk faull, as nuk u gëzova te goli as nuk reagova, ishte një arbitër me eksperiencë dhe e dija që nuk toleron gabime, por e dija që ishte një gol i parregullt.”
Qarkullimi i topit: “Ke të drejtë, por jemi larguar nga qarkullimi i topit vetëm për një arsye, ajo ka qenë fusha, pasi çdo gabim aty do ishte një gabim fatal për ne.”
Së shpejti përballjet me Kukësin dhe Tiranën: “Faza e katërt për ne është më e vështirë se për të gjithë konkurrentët tanë, pasi luajmë me ekipe që janë lart në renditje. Prandaj pas ndeshjes fjalët e mia ishin që të mos na kapë ndonjë eufori, por do japim maksimumin, ndonjëherë maksimumi dhe një pikë është e mjaftueshme.”
Sa pikë ju duhen deri në fund për të shpëtuar: “Tani më intereson vetëm Kukësi, pasi atë kam përballë.” /f.a/abcnews.al