Ylber Ramadani, mesfushori i kombëtares që është larguar nga danezët e Vejle BK, ka folur në prag të miqësore me Uellsin për shumë tema, duke nisur nga kalimi i disa lojtarëve të Shqipërisë U21 në kombëtaren e madhe, e deri tek çështja e të ardhmes.
“Kemi qenë me Çekiçin, Baren dhe Seferin te Shqipëria U21, ku kemi luajtur bashkë. Besoj se e ardhmja është e sigurt. Kushdo që vjen këtu bën maksimumin. Këto dy ndeshje janë të rëndësishme. Janë ekipe të forta dhe këto miqësore na shërbejnë për ndeshjen e shtatorit”.
“Golat? Trajneri na thotë që nëse një skuadër na mbyllet mbrapa, duhet të gjuajmë nga jashtë zone. Është e vështirë të shënosh me një ekip që mbyllet në zonë dhe ne mesfushorët duhet të provojmë. Kemi ekip të mirë dhe dimë të luajmë futboll. Pikërisht prej lojës mund të vijnë edhe rezultatet.
“Vendi i dytë? Çdo ditë flasim me njëri-tjetrin. Është një ndjenjë e mirë të shkosh në Botëror. Me ndihmën e Zoti uroj ta provojmë edhe ne, në ndeshjet e shtatorit.
“E ardhmja? Faktikisht kam oferta dhe pas ndeshjeve të kombëtares do të vendos për ekipin e ri. Do ulem me menaxherin dhe familjen. Sa i përket Shqipërisë, Partizani është shtëpia ime. Në Shqipëri përveç Partizanit nuk besoj se do të luaj me skuadër tjetër”. /abcnews.al