Rama zbulon emrin e kompanisë që ndërtoi pa leje në sheshin “Skënderbej”, Noka: “Betejë brenda PS”

schedule08:43 - 1 Tetor, 2022

schedule 08:43 - 1 Tetor, 2022

Ndërtimi pa leje në sheshin “Skënderbej” i denoncuar nga vetë Kryeministri Rama gjatë prezantimit të drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, ka marrë një rrjedhë të re të premten në mbrëmje.

Sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka, i ftuar në programin LOG. në ABC, u pyet për faktin që vetëm pak minuta përpara emisionit, kryeministri bëri publik emrin e kompanisë që ka ndërtuar pa leje. Një javë më herët, i ftuar në LOG., kryebashkiaku Erion Veliaj, edhe pas këmbënguljeve të vazhdueshme të drejtuesit Endri Xhafo, kishte refuzuar ta bënte publik emrin e kompanisë.

Veliaj ishte justifikuar me argumentin se kompania është një sh.p.k (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), pra një shoqëri me aksionerë, të cilët mund të dëmtoheshin pa të drejtë nëse bëhej publik emri i kompanisë për shkak të gabimit të administratorit të saj.

Nuk e mendoi kështu Edi Rama, i cili të premten publikoi në faqen e tij në Facebook emrin e kompanisë, që është IDEAL CONSTRUCTION sh.p.k., me seli në rrugën M.Llagami, Pall.12 katësh (Vala), Kati I, Nr.7, Tiranë, me administrator shtetasin Ferzilet Hajdëri. Më datë 1 korrik 2022 kompania është paditur për ndërtim pa leje nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Sipas ekstratit të kompanisë në QKB ajo zotërohet 100% nga kompania ARMAAR Group.

Kompania Armaar Group zotëron 100% të aksioneve të kompanisë ARLIS Ndërtim dhe sipas QKB zotëron aksione në dhjetë kompani të total, përfshirë një bankë të rëndësishme të nivelit të dytë, ku është aksionere me 15.1% të aksioneve. Aksioner i vetëm i ARMAAR Group është Armand Lilo.

Sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka tërhoqi vëmendjen për një denoncim të publikuar që në 2019 në portalin Exit.al dhe gazetën “RD”, sipas të cilit shtetasi Armand Lilo është kushëri i bashkëshortes së deputetit dhe ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj, aleat i kryebashkiakut Veliaj, që, sipas Nokës, angazhoi gjithë bashkinë në zgjedhjet e kaluara parlamentare që Fatmir Xhafaj të thyentë herësin dhe të zgjidhej deputet, edhe pse Edi Rama e kishte lënë jashtë “zonës së sigurt”.

Sipas Nokës, publikimi i emrit të kompanisë nga kryeministri, atë të cilën kishte refuzuar ta bënte Veliaj, tregon qartë luftën e brendshme në PS./abcnews.al./