Duke vazhduar vizitat në biznese të vogla që po përfitojnë nga ulja e tatim- fitimit, Kryeministri Rama theksoi se kjo lehtësi fiskale ndihmon sipërmarrjet për të zgjeruar aktivitetin dhe punësimin.
Një rrobaqepsi e vogël, e trashëguar nga familja, është kthyer në një sipërmarrje për dizejnimin dhe qepjen e uniformave të personalizuara. Sipërmarrësja thotë se arrin xhiro vjetore mbi 80 milionë lekë, ndërkohë që këtë vit e ka nisur me synime të reja.
Sipërmarrësja: “Merremi me fasoneri. Është një biznes familjar, i trashëguar nga mamaja ime. Në përgjithësi punojmë me tregun e brendshëm, por këtë vit tregu na ka lejuar të punojmë me uniformat e kompanive të ndryshme, të shkollave, etj. Ka qenë një vit suksesi. Por edhe ky vit, me uljen e fashës, do të jetë një vit edhe më i suksesshëm se i mëparshmi”.
Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë biznes, i cili, nga 1 Janari i këtij viti përfiton uljen e tatim-fitimit nga 15% në 5%.
Sipërmarrësja: “Unë jam shumë e kënaqur. Duke parë që ulja e fashës na e rrit mundësinë, mendoj që do shtoj edhe fuqinë e punës”.
Rama: “Ky është qëllimi. Paguani tri herë më pak taksa dhe të rrisni fuqinë punëtore dhe pagat e tyre, sepse duhen rritur pagat.”
Teknologjia bashkëkohore është një tjetër pikë e fortë me të cilën kjo sipërmarrje konkurron në treg. Me lehtësitë e përfituara drejtuesit e tij parashikojnë më shumë mundësi për investime të reja në këtë drejtim. /abcnews.al