Kryeministri Rama ka nisur sot një vizitë zyrtare në Bruksel, në krye të një delegacioni qeveritar. Gjatë kësaj vizite priten takime të rëndësishme me zyrtarë të Bashkimit Europian.
Sipas axhendës së kësaj vizite të planifikuar dhe parashikuar më herët, pritet që kryeministri Rama të takohet sot në orën 17:00 me shefen e diplomacisë në BE, Federica Mogherini. Më pas në orën 18:50 kreu i qeverisë do të ketë një takim me kreun e Këshillit Europian, Donald Tusk. Kurse në orën 19.00 vijon takimi me presidentin e Komisionit Europian Jean Klod Juncker dhe më pas të dy të dalin në një konferencë shtypi.
Në qendër të diskutimeve pritet të jetë situata politike në Shqipëri për shkak të thellimit të krizës, vendimit të Presidentit për të anuluar datën e zgjedhjeve dhe qendrimit të maxhorancës për shkarkimin e Kreut të Shtetit, që sipas saj ka shkelur Kushtetutën.
Po ashtu këto takime zhvillohen në prag të vendimit të pritshëm të Këshillit Europian lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit Shqipëri-BE. /ABC News Albania 24/7