Rama ul traun: Jo palestinezë te ne! S’ka për të ndodhur, të paktën jo gjatë qeverisjes sime

schedule09:44 - 16 Shkurt, 2025

schedule 09:44 - 16 Shkurt, 2025

Kryeministri Edi Rama i tha ‘Jo’ strehimit të 100 mijë palestinezëve. Për të disatën herë, Rama nga Mynihu ka shuar zërat se Shqipëria do të jetë vendi i përzgjedhur i Uashingtonit si pritës refugjatësh, për të avancuar planet e Presidentit Tramp me Rripin e Gazës.

Në konferencën e sigurisë, kryeministri s’qaroi se nuk ka asnjë kërkesë nga Shtetet e Bashkuara, por edhe në rast të kundërt, përgjigjia do të jetë prerazi negative.

“Nuk kuptova pse më kërkuat dëshpërimisht që të isha pjesë e këtij paneli për Lindjen e Mesme. Asnjë nuk na ka pyetur nga administrata Trump por dhe nëse do të na pyesin – çka nuk është e logjikshme, sepse ne jemi në mes të Europës dhe si mund të vijnë tek ne qindra-mijëra vetë… – gjithsesi kjo është pjesë logjistike dhe ne jemi një vend i vogël. Por kjo nuk ka për të ndodhur, të paktën jo gjatë qeverisjes sime”.

Një arsye më tepër për të refuzuar këtë plan, sipas Ramës, është fakti se Shqipëria nuk është pjesë e historisë së konflikteve mes Izraelit dhe Hamasit.

“Ne na vjen shumë keq për këta njerëz të cilët janë viktima të një prej diktaturave më të egra që ka ekzistuar ndonjëherë, që është Hamasi, por ne nuk jemi pjesë e kësaj historie dhe nuk do të jemi kurrë”.

Më herët, Shqipëria ka pritur muxhahedinët iranianë apo afganët, por rasti me palestinezët sipas Ramës nuk ka asnjë lidhje me ta.

Plani i Tramp për të zotëruar Rripin e Gazës, në këmbim të një paqeje të qëndrueshme në atë rajon, kërkon zhvendosjen e palestinezëve. Egjipti dhe Jordania kanë refuzuar ti strehojnë, ndërsa vetë Tramp nuk ka mohuar se një nga vendet e përzgjedhura mund të jetë Shqipëria, ndonëse kjo tashmë jo vetëm mohohet por dhe refuzohet nga Tirana Zyrtare./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!