Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit në seancën e sotme për diskutimin e shkarkimit të Presidentit të republikës Ilir Meta u shpreh se, komisioni i Venecias ka gjetur një sërë shkeljes të presidentit Meta por se nuk është rekomanduar shkarkimi i tij por është rekomanduar kufizimi i veprimeve të tij në të ardhmen.
Sipas kryeministrit, Komisioni i Venecias ka konstatuar një sërë shkeljesh që lidhen me një vullnet politik “për të ushtruar detyrën në mënyrë të njëanshme, dhe për tu sjellë në zyrën e presidentit të republikës si tutor i opozitës”.
“Zonjë apo zonjushë, duke qenë se ishit e fundit që folët përpara meje mund t’ju informoj për raportin që nuk e keni lexuar se Komisioni i Venecias ka nënvizuar jo një por një sërë shkeljesh të presidentit të republikës, sa për dijeninë tuaj që këndoni por nuk lexoni.
E kënduat më pasion fjalimin tuaj por pa lexuar atë që kënduat. Janë të shkruara e zeza mbi të bardhë një seri shkeljesh të bëra nga presidenti të cilat flasin qartë për drejtësinë e vendimit tonë për tja nënshtruar një komisioni të posaçëm hetimor parlamentar që ka bërë një punë voluminoze dhe ka dhënë një ndihmë përkatëse bazuar në gjithë analizën e raportit të Komisionit të Venecias.
Në këtë rast, dua t’ja u them ju dhe të gjithë shqiptarëve e që është një tjetër mundësi për të parë qartë dallimin mes nesh dhe gjithçkaje që thuhet gabimisht ose keqdashësisht për ne. E kemi lexuar me shumë vëmendje raportin e Komisionit të Venecias dhe nuk e kemi konsideruar atë ndonjë aneks të punës tonë por një pikë referimi.
Derisa Komisioni i Venecias thotë se shkeljet e bëra nuk janë mjaftueshmërisht të rënda për të shkarkuar presidentin atëherë kemi parë me shumë vëmendje konstatimet e komisionit që nuk na rekomandon të shkarkon Presidentin por të marrim masa për të ardhmen për të kufizuar hapësirën e presidentit për të vepruar pasi ai në një republikë parlamentare nuk mund të bëj si të dojë.
Fatkeqësisht janë një sërë shkeljesh kështu që ju dhe atyre që dolën këtu për të larë presidentin me ujin e Venecias ju them që uji i Venecias nuk e ka nxjerrë të larë presidentin por ka nxjerrë në pah gjithë shkeljet, që lidhen me një vullnet politik për ta ushtruar detyrën në mënyrë të njëanshme dhe për tu sjellë në zyrën e presidentit të republikës si tutor i opozitës.
U tha se ne e zgjodhëm presidentin e republikës, por harrojnë se Ilir Meta u bë president me votat e tij dhe tonat”, tha Rama./abcnews.al