Kryeministri Edi Rama paralajmëron drejtësi për vrasjet e ndodhura në 21 Janar, 10 vite pas kësaj ngjarje duke deklaruar se kësaj qeverie i takojnë meritat për hapjen e kutisë pandorës dhe pusetave të mbyllura hermetikisht.
Ai u shtoi se sot nuk është me kokën lart për sa kohë ky proces nuk ka përfunduar, por theksoi se mund t’i shohë në sy familjarët e katër viktimave të cilëve i ka qëndruar pranë për çdo nevojë.
Rama paralajmëroi se drejtësia do të bëjë të sajën për ata që i vranë për herë të dytë të veshur me togën e zezë, njësoj si ata që janë angazhuar për ta bërë 25 Prillin referendum kundër kësaj qeverie.
“Është i vështirë raporti mes të mirës dhe të keqes. E keqja është gjithmonë një hap përpara deri në momentin kur goditet nga drejtësia dhe jo nga politika. Nuk mund t’i kërkohet qeverisë dhe as shumicës parlamentare të fusin njerëz në burg edhe kur ata janë parë me armë në dorë duke vrarë njerëz. Këtu ndahet pikërisht kufiri mes demokracisë dhe çdo formë tjetër të organizimit shoqëror dhe politik.
Unë dëshiroj të them se së pari më vjen shumë mirë që ne sot hedhim një hap të rëndësishëm jo formalisht duke i vendosur të katërt të rënët e 21 Janarit aty ku ata e kanë vendin, në altarin e Atdheut si dëshmitarë të një kohe dhe historie humbën jetën jo rastësisht por sepse besuan tek të drejtat dhe liritë e tyre dhe protestuan për të drejtat e tyre. Pavarësisht se në këtë moment nuk ka shumë për të thënë për rezultatin ndihem krenar që ka shumë për të thënë për përpjekjen që është ndarja e sistemit të drejtësisë nga të qenit mall që shitet dhe blihet.
Nëse sot nuk i jep kësaj force politike të gjitha kreditet për hapjen e kutisë pandorës, pusetave të mbyllura hermetiksht të gjithë nëntokës së llumit, e nesërmja nuk ka diskutim që do ta vendosë si rol historik për atë që kemi bërë kur kemi hapur këtë kapitull. Ndihem mirë edhe për një fakt tjetër. Nuk kemi pasur mundësi për të bërë më shumë. Kemi bërë atë që ka qenë e mundur për të mos i lënë vetëm familjarët e të rënëve të 21 Janarit që na jep lehtësinë për të qenë përpara kujtimit të tyre jo me kokën ulur.
Nuk jemi me kokën lart sa kohë ende kjo nuk ka përfunduar por mund t’i shohim në sy për gjithçka që na është dashur të bëjmë dhe do bëjmë për familjet e tyre. Ne sot i dorëzojmë familjeve simbolin e dëshmorëve të Atdheut dhe jam i bindur se prania e këtij simboli në katër shtëpisë do të jetë pikë e dukshme referimi për fëmijët kur të mendojnë për prindërit e tyre në sensin e besimit që drejtësia do ta bëjë të sajën dhe ata që i vranë për herë të dytë dhe në bashkëpunim me njëri tjetrin me palë të treta të veshur me togën e zezë të gjykatësve do përgjigjen si të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që sot janë angazhuar për ta bërë 25 Prillin referendum kundër kësaj qeverie”, tha Rama./mv.abcnews.al