KAMËZ- Partia Socialiste përmbylli sot fushatën elektorale për zgjedhjet vendore në Bashkinë Kamëz, të cilat do zhvillohen më 14 maj. Kryeministri i vendit, Edi Rama, u shpreh se në këto katër vjet janë bërë shumë punë, dhe kjo praktikë ka prekur të gjithë sektorët e Kamzës.
“Kamza është drejtuar nga të tjerët që nga viti ’92, kur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste vendore, deri më 2019, ku bashkia e Kamzës nuk pati garë, sepse ata u tërhoqën dhe bashkinë filluam ta drejtojmë ne me Rakipin. Rakipi përmendi politikat sociale të Kamzës, janë politika shembullore dhe kuptimplota, për atë që Rakipi përfaqëson. Kamza ishte vend ku nuk kishte vend për fëmijët, sepse në Kamëz nuk kishte asnjë infrastrukturë arsimore, nuk kishte asnjë adresë për nënat që të çonin fëmijët e tyre”, shtoi Rama.
Kryetari i Partisë Socialiste, tha se më 14 maj, qytetarët e Kamzës do të ndahen njëherë e mirë nga urrejtja, ndjenjë kjo, e cila sipas Ramës është ushqyer nga një grup njerëzish.
“Ata Kamzën e mbajtën prej fyti peng për gjithë ato vite. Ne kemi një tjetër vizion, tjetër qasje, për atë që është qeverisja, dhe natyrisht për atë që është qeverisja vendore. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse kjo është një provë e dhënë në shumë e shumë vite dhe e njëjta gjë ka ndodhur në Tropojë, Këta kanë konsideruar që njerëzit më besnikë, ndjekësit e tyre më të verbër i kanë në xhep, dhe asnjëherë nuk kanë menduar t’ua shpërblejnë me punë dhe me vepra, por kanë dituar ti rrëmbejnë duke i ushqyer me helmin e përçarjes, dasisë dhe urrejtës. Puna më e madhe dhe vepra më historike e tij do të jetë në 14 maj, sepse 14 maji do jetë ndarja e Kamzës me urrejtjen, kapërcimi nga vetë komuniteti i Kamzës i një dasie të hekurt, të një dasie të pabesë, të një dasie, e cila është ushqyer nga nevojë për pushtet e një grupi njerëzish.”, u shpreh Rama.
Rama më tej tha se Shkodra duhet të marrë shembull Bashkinë e Kamzës, e cila në pak vite, ka përqafuar ndryshime rrënjësore.
“Kamza duhet t’i vlejë si shembull Shkodrës. Ditën e diel kam besim, që nënat e Kamzës, pavarësisht bindjes dhe sa që kanë votuar, do të shkojnë në kutinë e votimit në radhë të parë për vlerësimin që fëmijët e tyre shkojnë në shkolla, që janë gjenerata e re e shkollave, dhe janë shkolla njësoj si shkollat e mira të qyteteve europiane”, tha ai.
Në fund, Rama pati një thirrje për demokratët, por edhe për kundërshtarin e Rakip Sulit, të cilit i kërkoi të lërë Kamzën dhe të shkojë pranë Sali Berishës në momentin e shpalljes së rezultatit duke shtuar se oferta politike e PS do të triumfojë.
“Çfarë kërkon kundërshtari i Rakipit, ai kërkon që prapë të tërheqë prej hunde demokratët, prapë të tërheqë njerëzit e ndershëm, dhe pastaj të bëjë atë që është bërë gjithmonë: ta kthejnë bashkinë Kamzës në një strofull për një çetë njerëzish, që i marrin fondet dhe i ndajnë mes veti, që i lënë ujerat e zeza rragëve dhe njerëzve u thonë që ujin e pijshëm shkoni mbusheni në shishe. Unë do t’iu thosha atij kandidatit që ka përballë Rakipi. Mos rri në Kamëz kur të dalë numërimi i votimit elektronik, të shkojë të rri tek doktori i zemrës së mos i pushon zemra. Kamza nuk do bëhet socialiste më 14 maj, do të vulosë me vullnetin e saj, që nuk është as blu e as mavi, por kuq e zi me Rakip Sulin.”, tha ai./n.m.abcnews.al