Rama thirrje emigrantëve: Investoni në agroturizëm

schedule16:26 - 5 Shkurt, 2019

schedule 16:26 - 5 Shkurt, 2019

Një tjetër bujtinë është ngritur me mbështetjen e programit kombëtar për zhvillimin rural. Për ta sjellë si shembull që duhet ndjekur, shkoi ta shohë vetë kryeministri Rama. Ai tha se investimi në agroturizëm sjell më shumë të ardhura se puna ne emigracion.

Qemal Alushi në vitin 2000 në Prezë filloi mbjelljen e vreshtave dhe ndërtimin e një kantine vere, 19 vjet më pas provoi fatin për tu bërë pjesë e projektit të agroturizmit duke e shndrruar në bujtinë.

Alushi: “Sot themi që kemi bërë diçka që ia vlen edhe për ne, edhe për zonën edhe për të gjithë. Është krijuar një ambient i këndshëm”.

Këtë shembull duhet të ndjekin edhe fermerët e tjerë sugjeroi kryeministri Edi Rama i cili nuk mund ta linte pa e bërë publike këtë histori.

Rama:  “Ky është efekt zinxhir. Në fillim, kur bëmë thirrjen e parë nuk patëm aplikime. Tani janë bërë edhe më shumë. Në gjithë këtë peizazh, gjithkush që ka një mundësi, ka më shumë sesa aq sa i duhet për të jetuar vetë, mund ta kthejë direkt në një bujtinë shtëpinë dhe pranë shtëpisë ndërton një agroturizëm dhe gjithçka ndryshon”.

Atyre që jetojnë në emigracion u kujtoi se rikthimi në fshat do tju sjellë më shumë të ardhura nëse merren me agroturizëm.

Rama: “Përveç paketës së lehtësimeve të taksave, tani 5% tatim fitimin, por edhe me TVSH-në 6% siç është për hotelet me 5 yje, por, siç ju kemi dhënë ju, jemi shumë të angazhuar t’i japim mbështetje financiare direkte të gjithë atyre që duan të bëjnë transformime të tilla që shkojnë në drejtim të promovimit të zonave, të bukurive natyrore. Po shohim që ka gjithmonë e më shumë kërkesë dhe faktikisht, llogaria është shumë e thjeshtë, edhe për ata që janë në emigracion e që kanë një shtëpi në fshat, apo kanë një tokë, nëse ndërtojnë një agroturizëm, kanë më shumë të ardhura sesa çdo rrogë në emigracion”.

Bujtina në Prezë kombinon atraksionet turistike si Kalaja e Prezës, me bukuritë natyrore të zonës dhe gatimet tradicionale e produktet bio./abcnews.al