Kryeministri Edi Rama thotë se vendi ndodhet në zi kombëtare, për ndarjen nga jeta të ish kryeministrit socialist, Fatos Nano.
Në fjalën e tij pas përfundimit të homazheve, Rama u shpreh se falës sakrificës së Nanos, PS pati një frymë të re.
Rama shtoi se Nano ishte lider i pakonkurrueshëm i PS.
“Po ndërkohë, në vend që të qeshja ca me ty sonte, mua më duhet të rendis fjalët e një lamtumire, të cilën të them të drejtën nuk e imagjinova dot fare, hiç, as pasi miku ynë Solis më shkroi me keqardhje të madhe se kishe hyrë në një koma irreversibile. Mendova atë çast vetëm gruan tënde të paepur Xhoin, që do të vazhdonte të rrinte koka edhe për kushedi sesa vjet të tjerë, si një roje besnike e gjumit tënd të pambarimtë, por të betohem, as fare nuk të mendova ty, assesi jo të shtrirë në një arkmort për të ikur me të vërtetë nga kjo jetë të cilën e deshe dhe jetove, duke ia marrë sa munde të tëra orët e vogla të natës, e duke ia pirë gotat e fatit me fund, ashtu si vinin, dhe duke ia tymosur kapitujt me po atë ëndje, qoftë kur ngjiteshe në majë, e qoftë kur prekje fundin, apo kur tërhiqeshe mënjanë. Po ja që erdhi befasisht për mua kjo ditë zie dhe më ra puna e vështirë e të parës lamtumirë që kryetari i familjes më të madhe politike të shqiptarëve, i jep jo thjesht një paraardhësi, por të parit kryetar, themeluesit të familjes sonë.
E teksa rrotullohesha me sy anë e përqark faqes së bardhë në ekran, duke përpjekur të nxjerr nga duart fjalët e kësaj lamtumire m’u ndërmend ajo historia jote me vdekjen e Mao Ce Dunit dhe m’u duk vetja fiks si ai drejtori i Metalurgjikut që duhet t’u thoshte diçka kinezëve të mbledhur në sheshin e madh të Kombinatit, pas lajmit të ndarjes nga jeta të kryetarit Mao. I hutuar prej situatës së papritur, drejtori kërkoi mëndje lartë në Komitetin Qendror, se ç’duhet të bënte me turmën e kinezëve të grumbulluar në shesh, që të ishte në lartësinë e ngjarjes. I thanë se do të pyesnin lart fare dhe do t’i kthenin përgjigje, por kur përgjigja po vononte dhe kinezët nuk luanin vendit, i shkreti drejtori i ra përsëri telefonit në kërkim të orientimit nga lart. “Na thoni ç’të bëjmë”, – tha, “se nuk pret puna”. Përgjigja që mori ishte e çarmatosëse, “orientim nga lart fare nuk ka, kështu që bëni siç keni bërë herë të tjera”!
Dhe natyrisht që këtë herë është shumë ndryshe nga herët e tjera, edhe sepse njeriu që ikën sot pa kthim nga Tirana, ku lindi, u rrit, u adhurua e u anatemua dhe bëri histori është një rast tejet i veçantë për t’u përcjellë me fjalët e rastit, pa u bërë qesharak, siç më duket mua, të paktën se u bënë ata që duke folur për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, morën me të mirë tërë këto ditë veten e tyre.
Me Fatosin, ne ndamë, thyem dhe rindamë bukë, por historia e marrëdhënies sonë, zhvilluar mes ekstremesh nga “birësimi” im në familjen socialiste, me bekimin e tij, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij nuk ka vend këtu në këtë eulogji. Ose jo, ka vend vetëm për një fakt, nëse jam unë sot zëdhënësi i hidhërimit të krejt familjes së madhe socialiste, kjo lidhet padyshim me intuitën dhe me guximin e kryetarit themelues për të më ftuar dhe dhënë vend në odën e shtëpisë sonë politike, duke thyer asokohe një mur të madh ndarës me shoqërinë e kohës, kur shtëpia e socialistëve nuk qe ajrosur ende plotësisht nga era e të shkuarës.
E kam pyetur veten në kohë të ndryshme nëse Fatos Nano e deshi apo jo barrën e kryetarit të Partisë Socialiste, e nëse vërtetë e mori përsipër, apo ajo i ra mbi shpatulla me të tërë vrazhdësinë e faktit të kryer ato ditë e netë kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysmë shtize dhe me moralin e rënë nën shuajt e këpucëve të shqyera nga marshimi 45 vjeçar, drejt horizontit të kuq, që vetëm largohej derisa u zhduk në gurmazin e konsumuar të komunizmit, i cili tamam në sallën e madhe të këtij Pallati Kongresesh nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë planetin, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit që frynte e përplasej mbi “kongresmenët”, e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit të tyre në një fishkëllim sa çjerrëse, aq edhe qesharake, kur nga foltorja shpallej dorëzimi përpara realitetit.
I gjendur aty mes fytyrave verdhacuke të udhëheqësve, gjëmi mbytur nga ardhja e qametit dhe sekretarëve lëkurë rreshkur nga dielli, ara, fabrika, kantiere, “qorri”, siç e quanin shokët dhe e quanim mes nesh më duket gjithnjë si protagonist dhe si peng njëkohësisht.
Fytyra e dy kumtimtë e kuadrit të ri të partisë që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e profesorit garip të Ekonomikut, që tregonte barsoleta tallëse për regjimin duke pirë raki dhe që luante Beatles dhe Rolling Stones me kitarën e tij.
Nuk e kam dyshuar asnjëherë që pikërisht profili i tij jo skematik, i dha Fatos Nanos me hirin e pahirit skeptrin e të majtës së porsalindur, pas “varrimit të Partisë së Punës”, por besoj se vetë ulje ngritjet e forta të rrugëtimit të tij politik, përtej forcës përcaktuese të ngjarjeve, deri dhe të rënda fare, ishin pasqyrë, e pikërisht një dyzimi të thellë mes protagonistit të madh dhe pengut të një detyre prej të cilës ai tentonte të “arratisej”…. sa herë që t’i jepej mundësia. Por ama, qe pikërisht ai dyzim, pjellë e natyrës së tij jo dogmatike dhe aspak sistematike i kombinuar me burgosjen absurde, e cila ekspozoi të gjithë dogmatizmin primitiv të pengmarrësve, jo vetëm të Fatosit, por dhe të vetë lëvizjes demokratike që u bë fati i Partisë socialiste dhe e bekoi Fatos Nanon si lider të pakonkurrueshëm të socialistëve, duke i dhënë Partisë Socialiste një frymëmarrje të re dhe një perspektive reale për t’u kthyer në forcë dominante të politikës shqiptare.
Pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin pasur një fat më pak bujar, por dhe vetë Fatosi pa atë sakrificë të imponuar mbase nuk do ishte bërë një lider aq jetëgjatë në një kohë trazirash e ngatërresash, jashtë e brenda partisë ku lidershipi i tij ishte shumë më tepër frymë sesa prezence, shumë më tepër hapësire sesa kohë, shumë më tepër improvizim sesa programim dhe ku natyra e tij lidershipi së bashku me rikthimet e bujshme të kryetarit pas arratisjeve të tij përbwn një material historik dhe socio-politik me një vlerë të jashtëzakonshme për këdo që një ditë do marrë përsipër ta zbërthejë vertetwsisht dhe jo ta mbërthejë hipokrizisht, rolin vendimtar të Fatos Nanos, jo vetëm mbi atë që ishte nën drejtimin e tij, por dhe për atë që u bë më pas Partia Socialiste.
Në selinë e partisë që ai udhëhoqi qëndron një foto tanimë e mirënjohur e tij, e cila për mua mbetet pamja më domethënëse e Fatos Nanos fill pas daljes nga burgu. Më befason gjithnjë ndryshimi i hatashëm mes atij Fatosi dhe Fatosit të prangosur para gjykatësve që e burgosën.
Fatosi u gjyqit është profesori i ekonomikut që mbahet fortë për sytë e popullit para burgosjes peng i dyfishtë i asaj dite, qw kur i hodhën në kurriz barrën e madhe që mbase nuk e deshi asnjëherë me gjithë shpirt dhe i persekutorit të tij xhahil, që e deshi me patjetër në burg.
Ndërsa Fatosi tjetër, ai i selisë i sapodalë nga burgu me dorën e majtë që tregon përpara dhe sytë që shkëlqejnë plot xixa, është një kafshë e rrallë politike që përtej të gjithave dhe pavarësisht të tërave ka radhën më të parë, meritën e madhe, që PS nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një tabu për PS-në dhe e bën PS-nw krenare për qenien e saj një zëdhënëse, një mbrojtëse dhe një promotore e palëkundur e interesave madhore të vendit dhe të kombit shqiptar.”, theksoi ai./abcnews.al

