Në ditën kur një tjetër Erion ndau mendjen të kandidojë për kryetar bashkie në Tiranë.
Kryesocialisti Edi Rama u shfaq krah Ogerta Manastirliut. E shpallur, kandidate për zgjedhjet e parakohshme të kryeqytetit, që në fakt nuk u bënë kurrë prej Erion Veliajt, ajo së paku deri tani mbetet kandidatja zyrtare e Partisë Socialiste. Por a do të ketë edhe ajo fatin e Florian Binajt? Nëse pyet Erion Braçen, ai është i qartë. Tirana për të tani është një mision.
Rama përkrah Ogertës, nuk përmendi Braçen, por kërkoi sërish vetëm rezultat të qartë fitues në zgjedhjet e ardhshme në Tiranë. Por a i japin atij siguri opinionet dhe sondazhet? A kanë rëndësi edhe emrat e kandidatëve, në një garë që është provuar delikate edhe kur kandidonte ai vetë? Po për kryesocialistin, rëndësi nuk kanë emrat, por një faktor tjetër.
“Jam i bindur që ne jemi fitues dhe për një arsye tjetër që është faktikisht arsyeja që na mbledh sot. I fillojmë përgatitjet shumë përpara të tjerëve dhe kur të tjerët merren me ne, ne merremi me veten”, tha Rama.
Por sa për gojët e liga për të mërzitur brenda PS, Rama fjalët ua la atyre që duan të merren me thashetheme.
“Fillojmë në 11 dhe dalim në 6, dhe mediat kombëtare, nuk po diskutoj të tjerat e vogla, raportojnë për publikun çfarë i tha Edi Rama njërit dhe çfarë i tha Edi Rama tjetrit. Shqetësimi nuk është ky, njerëzit kanë votuar dhe duan të dinë gjëra të tjera”, shtoi kreu i qeverisë.
Po për Tiranën kanë rëndësi edhe emrat. Tani që Florian Binaj u rikthye në bazë dhe Ilir Alimehmeti ka nisur fushatën, që Berisha deri tani ia ka premtuar se do t’ia japë, edhe socialistët duan të sqarohen se kë prej kandidatëve do votojnë prillin e ardhshëm: një tjetër Erion, apo një tjetër grua në krye të një institucioni të rëndësishëm politik në vend.


