Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtë pasdite ka vizituar prindërit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Rama ka qëndruar për rreth 20 minuta, së bashku me katër ministra të tij, ku është pritur nga shumë anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, si Vlora Çitaku, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, dhe nënkryetari Sami Lushtaku, shkruajnë mediet kosovare.
“Isha te Hashimi e vizitova. Mu duk mirë, shumë mirë. Ai nuk është nga ata që e tregojnë, por shumë mirë mu duk. Jeni të fortë ju, të ka ngjarë ty më duket”, iu drejtua kryeministri babait të zotit Thaçi.
Më pas, Kryeministri Rama dhe familjarë të Zotit Thaçi shkëmbyen disa dhurata simbolike, në shenjë nderimi dhe respekti të ndërsjellë mes tyre.
Nesër, 20 qershor, në Prishtinë do të mbahet mbledhja e dy qeverive Kosovë – Shqipëri.
Tradita e mbledhjeve të përbashkëta që nisi nga vitin 2014, do të ul sërish dy kryeministrat Rama e Kurti dhe ministrat e tyre për të nënshkruar të tjera marrëveshje në funksion të lehtësirave proceduriale dhe shkëmbimeve ekonomike Shqipëri-Kosovë.
Lexo edhe: Një ditë para mbledhjes së dy qeverive, Rama bën premtimin e madh për qytetarët e Kosovës
Takimi në Prishtinë vjen në një muaj ku qëndrimet e liderëve në Tiranë dhe Prishtinë nuk kanë qenë shumë miqësore mes tyre.
Nga Ohri ku u mbajt sesioni i radhës i nismës së Ballkanit të Hapur, Rama deklaroi se respektonte qëndrimet e një shteti Sovran si Kosova, por i kujtoi liderëve kosovarë historinë e marrëdhënies SHBA-Japoni, për t’i kërkuar të mos e refuzojnë më nismën për shkak të pjesëmarrjes së Serbisë.
Diferencat e theksuara në qëndrime u shfaqën edhe pak ditë më parë në Greqi në Samitin e SEECP, ku Rama e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka shkëmbyer jo pak replika, qëndruan larg njëri-tjetrit.
/abcnews.al/