Kryeministri Rama ka reaguar pak minuta para protestës së madhe të njoftuar përballë kryeministrisë duke theksuar se ka bërë gati paketën e rezistencës sociale për të përballuar pasojat e krizës së çmimeve.
Përmes një postimi në Facebook, të shoqëruar me foto nga mbledhja e qeverisë, kryeministri shprehet se janë në përfundim të punës për këtë paketë, të cilën do ta shpalosin në ditët në vijim.
“Kryeministria – Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet po merr formë përfundimtare“, shkruan Rama në Facebook.
Qytetarët pritet të protestojnë pak minuta më vonë para Kryeministrisë në Tiranë si edhe në qytete të tjera të vendit kundër rritjes së çmimeve. Kjo është dita e katërt e protestave, ndërkohë që gjatë tre ditëve të para është bërë e mundur ulja deri diku e çmimit të karburanteve. Krahas këtyre të fundit Shqipëria po përballet me shtrenjtim të çmimit të ushqimeve. /abcnews.al