Kryeministri Rama ka postuar sot ne mëngjes në “Facebook” një video rreth 2 minuta e gjysmë, që tregon pamjet e brendshme të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si ka qenë deri tani, dhe më pas pamjen e re që ka marrë pas rikonstruksionit të nisur disa muaj më parë dhe që është drejt fundit.
Rama e shoqëron këtë video vetëm me një fjali; “S’po flas fare për çfarë do të shihni e gjykoni vetë”.
Dhe në fakt ndryshimi mes dy gjendjeve të godinës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në zemër të kryeqytetit, është shume i dukshëm. Mjediset tejet të amortizuara, janë rinovuar totalisht pas ndërhyrjes rikonstruktuese.
Në godinën e re, artistët e operës dhe baletit shqiptar, administrata e këtij institucioni, por mbi të gjitha spektatori që do ndjekë shfaqjet në këtë skenë, do të kenë kushte shumë të mira pune dhe argëtimi.
Shefi i qeverise Rama e sjell këtë ndryshim në godinën e Operës duke treguar se të njëjtin fat do të ketë edhe Teatri Kombëtar, që së shpejti do të ketë një godinë të re me standarde bashkëkohore, pavarësisht kundërshtimit nga një grup artistësh dhe një pjese të opinionit publik, të mbështetur nga opozita./ABC News Albania 24/7