Kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë garanci për hapjen e negociatave këtë vit. Në fjalimin e tij në Parlament, kryetari i qeverisë është shprehur i sigurt se kurdo që të jetë koha për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian, do të jetë Partia Socialiste që qeveris vendin.
Nuk i ka rezervuar shumë kohë opozitës në fjalimin që ka përgatitur në seancën parlamentare të kësaj të enjteje.
Është fokusuar në çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian por nuk ndan të njëjtën bindje nëse do të ndodhë apo jo.
Fillimisht kryeministri Edi Rama flet për detyra të realizuara.
Madje çka ka realizuar Shqipëria po merret si pikë referimi gjë që bie pak në kontradiktë me skepticizmin e disa vendeve evropiane shprehet kreu i qeverisë.
Pikëpyetjet vazhdojnë kur përmend edhe presidentin e Francës.
Këto deklarata i bëri për të sqaruar shqiptarët se përse mbajnë një qëndrim të tillë disa shtete për hapjen e negociatave të Shqipërisë. Të tjerat i ka ruajtur për politikën e brendshme të Shqipërisë.
Opozitës nuk i la pa i përsëritur ftesën për tu ulur bashkërisht në tryezën e reformës zgjedhore duke i kujtuar gjithashtu se zgjedhjet do ti bëjnë me apo pa ta.
Sido që të jetë vazhdimi i reagimit opozitar, fitoren e ka të sigurt edhe nëse vendosin t’i dalin përballë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit apo ato të përgjithshme në vitin 2021.
Në seancën parlamentare renditi arritjet sipas tij të qeverisë në reformimin e administratës publike, rritjen ekonomike, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit por nuk tha asgjë për rrethimin e aeroportit të Rinasit. Këtë e la për ndjekësit e tij në Instagram të cilëve u publikoi disa foto.
Dhe i informoi se këta janë Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato.
Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë shkruan kryeministri i cili i quan marrëzira të gjitha ata që flasin për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake./abcnews.al