Kryeministri Edi Rama ka nisur prezantimin e paketës kundër grupit të strukturuar kriminal, që ai e quan KÇK. Një ditë më parë Rama deklaroi se ky mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit, falë ndihmës së ekspertëve të huaj do të shkatërrojë themelin e foleve të krimit.
Në ditën kundër dhunës ndaj grave, kryeministri e ka nisur me këtë fenonem prezantimin e platformës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai ka deklaruar se plaga e madhe e krijuar në shoqëri nga një sistem drejtësie i kalbur dhe korruptuar prek drejtpërdrejt integritetin fizik dhe dinjitetin e grave.
“Janë rrënqethëse dhe jo të pakta rastet kur dhuna ndaj grave ka kaluar përmes sallës së gjyqit dhe dhunuesit janë shpallur të pafajshëm, ashtu sikurse janë rrënqethëse rastet e përsëritjes së dhunës nga të njëjtat persona që kanë dalë të pafajshëm dhe janë kthyer në sallën e gjyqit si dhunues përsëritës. Ky është një aspekt si të gjithë të tjerat dhe do të adresohet me siguri me shumë drejtësi dhe efikasitet nga sistemi i ri i drejtësisë”.
Rama njoftoi se një grup deputetesh së bashku me ministren e drejtësisë po punojnë për rishikuar legjislacionin për dhunën ndaj grave, që jo vetëm të merren masa parandaluese po edhe për t’i mbështetur.
“Një grup kolegesh deputet sëbashku me ministrinë e drejtësisë janë angazhuar që përveç punës për të rishikuar legjislacionin dhe për të marrë një hap dmth ndaj dhunës ndaj grave, jo vetëm masa por edhe mbështetje. Janë duke përgatitur edhe projektin e një amnistie që do adresojë nevojën për të lehtësuar gratë e dhunuara dhe të moshuarit”. /abcnews.al