“Shqipëria, sekreti i Ballkanit” titullohet dokumentari i transmetuar mbrëmjen e djeshme në televizionin francez TV5 Monde, i cili zbulon pasurinë kulturore, bukuritë natyrore dhe shpirtin e vendit të shqiponjave.
Gazetari francez, Ivan Kabacoff udhëtoi në disa prej qyteteve të Shqipërisë, si Tirana, Shkodra, Korça, Gjirokastra dhe Berat, duke pasqyruar kulturën, traditat dhe historinë shqiptare.
Pjesë e dokumentarit është edhe intervista me kryeministrin Edi Rama, i cili e priti gazetarin Kabacoff në kopshtin e Kryeministrisë ku zhvilluan një bisedë për gjuhën frënge, artin, identitetin dhe Shqipërinë.
Intervista e plotë:
Para se të bjerë nata në Tiranë, do të takoj folësin më të famshëm të frëngjishtes në Shqipëri, Edi Rama, Kryeministrin. Ai më pret në kopshtin në zemër të zyrave të tij.
Edi Rama nuk është një udhëheqës si të tjerët. Sapo hyn në zyrën e tij, e kupton menjëherë se nuk po hyn në botën e një politikani të zakonshëm. Një kosh basketbolli i varur në mur është një kujtesë e së kaluarës së tij si një atlet i nivelit të lartë. Përreth vizatimeve shumëngjyrëshe janë veprat e tij, një dëshmi e një pasioni të përjetshëm: pikturës. Burri që ka udhëhequr Shqipërinë që nga viti 2013 mësoi frëngjisht në rininë e tij gjatë një qëndrimi në Cité Internationale des Arts në Paris.
Që atëherë, kjo gjuhe e ka shoqëruar në vijimësi. Prandaj, është një folës i jashtëzakonshëm i frëngjishtes që do të takoj së shpejti. Përshëndetje,
Gazetari Kabacoff- Kryeministër, do t’ju rrëfehem para se t’ju intervistoj. Po mendoja nëse duhet të ndërroj atletet? Që kur ju pashë duke mirëpritur krerët e shteteve në samitin evropian në Tiranë, mendova me vete se nuk po i përmbaheshit saktësisht kodit të veshjes. Duke folur për këtë, ky kod i pazakontë veshjeje, a është një mënyrë për ju për të projektuar një imazh modern, të ndryshëm nga vendi juaj, Shqipëria?
Rama- Jo, ka më shumë të bëjë me të qenit vetvetja, sepse përndryshe, unë nuk jam vetvetja. Kështu që pyesja veten, pse duhet të ndryshoj për ta paraqitur veten, sikur të isha duke u shfaqur në një lloj shfaqjeje? Jam unë, dhe kaq. Por gjërat po ndryshojnë. Ka të tjerë që po fillojnë të veshin atlete.
Gazetari Kabacoff- A është njohja e gjuhës frënge një aset në funksionin tuaj si kreu i shtetit, veçanërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare?
Rama: Frëngjishtja nuk është vërtet gjuha e marrëdhënieve ndërkombëtare. Më vjen keq ta them, por është anglishtja. Megjithatë, të flasësh frëngjisht është diçka që më bën të ndihem vërtet si në shtëpi. Është një ndjesi që të lejon ta përjetosh në thellësi të shpirtit një kulturë, e cila përndryshe humbet në anglisht, humbet në shqip. Prandaj, nëse kemi fatin ta eksplorojmë drejtpërdrejt, është vërtet e jashtëzakonshme.
Gazetari Kabacoff- E kemi parë gjatë udhëtimit tonë se ka gjithnjë e më shumë turistë, mes tyre edhe shumë turistë frankofonë. Si mund të shpjegohet ky interes i madh i këtyre turistëve për vendin tuaj?
Rama : Jam shumë, shumë i lumtur, sepse më në fund Shqipëria është e aftë t’u flasë francezëve që e vizitojnë atë përmes bukurisë së saj, dhe ata mund ta admirojnë atë pa paragjykimet që për një kohë të gjatë e kanë shoqëruar vendin tonë në sytë e botës, të Evropës dhe të francezëve. Kështu, ata janë dëshmitarë të një vendi që është evropian, që e do Francën, që është një vend i bukur, mikpritës, një vend ku fetë bashkëjetojnë në harmoni të plotë, dhe një vend ku, edhe pse ekziston një përzierje fetare, ka një unitet shumë të fortë në përkatësinë evropiane dhe dëshirën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Gazetari Kabacoff- Atëherë, Kryeministër, nëse do të kishit një fjalë për të përkufizuar qytetin tuaj, Tiranën, cila do të ishte ajo?
Rama: Dëshira për të ardhmen.
Gazetari Kabacoff- Dhe nëse do t’ju duhej ta përshkruanit vendin tuaj, Shqipërinë, me një fjalë?
Rama: Dashuria për të tjerët.


