Rama për median Serbe: Nuk dëshiroj kufij me vendet e Ballkanit

schedule15:39 - 13 Maj, 2019

schedule 15:39 - 13 Maj, 2019

Shqiptarët në Kosovë dhe ata në Shqipëri janë vëllezër që një ditë duhet të bashkohen. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në një intervistë për televizionin Pink, që është media me e afërt me presidentin, Aleksandar Vuçiç ku ka nënvizuar se nuk dëshiron kufij me Kosovën, por as me vendet e tjera të Ballkanit dhe shpreson që kjo të arrihet.

“Kam avokuar fuqishëm për një erë të re në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Gjithmonë kam menduar dhe besoj se serbët dhe shqiptarët mund të bëjnë për Ballkan atë që francezët dhe gjermanët kanë bërë për Evropën”, kurrë nuk kam folur për Shqipërinë e madhe pasi nuk ka as ne romantizëm as rënesansë, por jemi vëllezër që jetojnë në dy shtete dhe natyrisht që duhet të bashkohemi. Ketë e kam parë në aspektin e BE-së dhe nëse ekziston diçka që është e madhe është Bashkimi Evropian të paktën në imagjinatën time dhe në bindjet e mija”, ka deklaruar kryeministri Rama.

Serbia duhet të përballet me realitetin dhe të pranojë që Kosova është shtet i pavarur dhe i lire është këshilla që përsërit kryeministri Rama.

“Nevoja për pajtim është e pa shmangshme dhe sa më shumë që Serbia të vazhdoj të besojë tek një ëndërr e tillë që kjo nuk ka ndodhur apo se mund ta ndalë këtë, do të jetë e dhimbshme për të gjithë”, tha Rama.

Duke folur për taksën e Kosovës Rama ka sqaruar që ka qenë pro pasi kjo është një klithmë politike sipas tij.

“Shqiptarët e Kosovës janë futur në një proces negociatash, pavarësisht se është e dhimbshme për ta pasi ata janë përballur me dicka që ka qenë gati e karakterit gjenocidal. Kanë qenë viktima të spastrimit etnik nën diktaturën e Beogradit, por sërish janë përfshirë në dialog dhe nuk kanë vënë kushte sic mund të ishte kërkesa për falje apo gjëra që viktimat me të drejtë mund ti kërkojnë. Kjo nuk ka shkuar mirë për ta”, theksoi ai.

Prandaj kryeministri Rama këmbëngul që problemi nuk duhet lënë brezave të rinj duke shprehur dyshimet se mund të kthehet përsëri ajo që ka ndodhur në të shkuarën.

Ai ka folur për marrëdhëniet me Vuçiç për të cilin ka thënë se është pajtuar që nuk pajtohen, por bisedohet në mënyrë miqësore për të gjitha.

“Shumë ma kanë zënë për të madhe pasi disa herë e kam quajtur mik Vucicin”, tha Kryeministri.

Gazetarja e TV Pink ka sqaruar në intervistë se është befasuar me faktin që kryeministri Rama nuk i ka kërkuar as pyetjet e as autorizim për ta bërë një intervistë të tillë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!