Rama për Die Welt: Nuk parashikojmë dot çeljen e negociatave

schedule11:30 - 6 Qershor, 2019

schedule 11:30 - 6 Qershor, 2019

Çfarë pret Shqipëria këtë kohë nga Bashkimi Evropian, investimet e rëndësishme që po i dedikohen vendit tonë kryesisht nga Gjermania janë temat që ka diskutuar Kryeministri Edi Rama në intervistën e dhënë për gazetën gjermane Die Welt.

Kryeministër i Shqipërisë që prej vitit 2013, Kryetar i Partisë Socialiste dhe ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës, Rama veçohet për faktin se është gjithashtu një artist i konfirmuar.  Kështu e përshkruan Gazeta Gjermane Die Welt kryetarin e qeverisë të cilit i ka kushtuar një artikull të zgjeruar kryesisht për pritshmëritë që ka ai vetë dhe vendi ynë mbi hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Për kryeministrin Edi Rama tashmë i takon familjes së madhe evropiane të vendosë mbi fatin e Shqipërisë.

“Ky është një problem brenda familjes dhe parashikueshmëria është gjëja e fundit që mund të kërkojmë. Ndaj është e rëndësishme që pikë së pari kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe se që prej vitit të kaluar, konsiderohemi nga Komisioni Evropian se jemi tanimë gati për hapjen e negociatave. Komisioni, në pikëpamjen time, është institucioni i vetëm që ka ekspertizën e duhur dhe njohurinë e plotë të detajeve e historikut të secilit vend. Thënë kjo, pjesa tjetër është thjesht politikë dhe asnjëherë nuk i dihet”. 

Kjo nuk e bën pesimist kryeministrin Edi Rama.

“Jo, në mënyrë gati tragjike unë kam qenë gjithmonë optimist. Jeta ime dhe historia jonë më tregojnë vazhdimisht se optimizmi tragjik është zgjidhja më e mirë.

Kjo është bukuria dhe çudia e këtij procesi, sepse ndërsa duhet ende të hapim negociatat, kemi realizuar gjëra që vendet negociuese duhet ende t’i realizojnë”. 

Një figurë shumëngjyrëshe ai vetë, në këtë intervistë Rama përshkruan bukurinë dhe çuditë e rrugës së Shqipërisë për arritjen e hapjes së negociatave të anëtarësimit dhe shpjegon përse Angela Merkel është shndërruar në kampionen numër një të këtij vendi- shkruan Die Welt.

“Nuk e di se ku do të ishte Europa sot nëse nuk do të kishte qenë Anxhela Merkel në kohën e krizës së refugjatëve. Edhe pse i është dashur të paguajë një çmim të lartë për këtë, gatishmëria e saj për ta paguar atë çmim e bën një lider edhe më të madh. Gjermania është shumë e drejtë dhe e qartë në përgjithësi, çka nuk mund të thuhet për të gjitha vendet”.

Nuk përjashton që ka një ide të gabuar për Shqipërinë dhe këtë ia faturon dembelizmit gazetaresk.

Dembelizmi gazetaresk është një karakteristikë e kohëve tona. Për një gazetar dembel nuk mund të presësh lajme të mira, por vetëm lajme të këqija, sepse pa dyshim ato shesin më shumë”.

Midis mbikëqyrjes së reformave historike, çmimeve ndërkombëtare për planet e tij të zhvillimit urban apo përgatitjes së Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit, sipas gazetës gjermane ai gjen gjithashtu kohën për të dizenjuar letrën e tij murale të zyrës, për të organizuar ekspozita dhe shpesh skicon skica shumëngjyrëshe, midis fletëve të axhendës së tij personale./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!