TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama pas dialogut, që zhvilloi për bujqësinë dhe zhvillimin rural, tha se ka ardhur koha që të shikohet ndryshe qasja e qeverisë dhe politikat qeverisëse në sektorët e vendit.
Sipas Ramës, duhen shfrytëzuar me eficencën e duhur i gjithë potenciali që ka vendi për të krijuar një ekonomi më të fortë.
“Ne jemi në kushtet, në kohën, në mundësinë, që ta shikojmë ndryshe qeverinë dhe qeverisjen dhe nga ana tjetër ta shikojmë ndryshe potencialin që ka vendi në çdo drejtim dhe duhet të zgjerojmë kapacitete tona të pjesëmarrjes në procesin e zhvillimit.
Duhet që çdo lekë që hedhim nga buxheti i shtetit ta kthejmë në fitim për ekonominë vendit dhe jo hidh leke, vil taksa, mblidh taksa dhe mos prodho lekë të tjera duke vënë në shfrytëzim shumë potenciale që kemi”, tha ai.
Ai paralajmëroi se qeveria do bëhet pjesë e importit të naftës dhe kjo do krijojë kushtet, që çmimi i naftës në vend të jetë më i arsyeshëm,
“Problemi i naftës u ngrit përsëri. Na duhet ta rishikojmë këtë skemë të naftës, por më shumë se sa ta rishikojmë atë, ne po përgatitemi të ndërhyjmë në sektorin e naftës. Në kuptimin që thashë më parë, Qeveria do jetë shumë aktive në krijimin e kushteve dhe në krijimin e skemave të bashkëpunimit me sipërmarrjen dhe faktorët ekonomikë për të rritur të ardhurat, jo të vetat, por të njerëzve.
Ne na duhet me patjetër të ndërtojmë proces të ri dhe po e përgatisim, ku qeveria do jetë pjesë e forcave në sektorin e naftës, që do të thotë se ne duam të ndërhyjmë me një ekuilibër të ri çmimi për konsumatorët.
Kjo është diçka që e kemi studiuar për një kohë të gjatë, e shohim të mundshme dhe besoj se brenda këtij vit do jemi pjesë si qeveri në importin e naftës dhe në bashkëpunim me aktorët e tjerë, që do ua bëjnë jetën më të lehtë.
Do mund të përcaktojmë një çmim më të arsyeshëm të naftës sesa aktualisht që është në Shqipëri.
Ka ardhur koha të veprojmë në një mënyrë tjetër, do jetë një mënyrë e mirë, sepse duke marrë pjesë qeveria si një ndër aktorët, atëherë edhe politika e naftës në sektorin bujqësor do jetë e ndërtuar ndryshe”, theksoi kryeministri i vendit./abcnews.al