Rama nxjerr dokumentat: Shitja e detit Greqisë shpifje, llumi i shqiptarisë gjen shesh për përshesh

schedule17:00 - 26 Dhjetor, 2020

schedule 17:00 - 26 Dhjetor, 2020

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me miratimin e dekretit nga Greqia për zgjerimin me 12 milje në Jon një ditë më parë.

Shefi i qeverisë përmes një postimi në Twitter, shkruan se shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s’ka lidhje me zonën joniane mes nesh!

Ndër të tjera Rama thekson se pas rrëzimit të marrëveshjes famëkeqe të 2009 dhe mosmarrëveshjes që pasoi, ne kemi arritur më në fund dakordësinë me palën greke që delimitimin e kufirit tonë detar ta çojmë në Gjykatën Ndërkombëtare!

Gjithashtu Rama në postimin e tij ka publikuar disa dokumente të vitit 1990 kur Shqipëria bëri këtë që bëri Greqia sot dhe që është në fuqi sot e gjithë ditën në regjistrin e OKB!

Postimi i plotë:

Llumi nacional-folklorik i politikës shqiptare pa kufij, pa din e iman, është derdhur sërish në oqeanin digjital përmes shpifjes së madhe të “shitjes së detit” Greqisë! Këtë marrëzi ekstreme për përfitime politike mund ta besojnë vetëm ata që s’duan të dëgjojnë e as të kuptojnë!

Pas rrëzimit të marrëveshjes famëkeqe të 2009 dhe mosmarrëveshjes që pasoi, ne kemi arritur më në fund dakordësinë me palën greke që delimitimin e kufirit tonë detar ta çojmë në Gjykatën Ndërkombëtare! Shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s’ka lidhje me zonën joniane mes nesh!

E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra!

Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Europës,ku nuk mund të “shiten” e “blihen” dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës,ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij!

Ja edhe dokumentat e vitit 1990 kur Shqipëria bëri fiks këtë që bëri Greqia sot dhe që është në fuqi sot e gjithë ditën në regjistrin e OKB! As pala greke s’kishte çfarë kontestonte atëherë, as ne s’kemi çfarë kontestojmë sot tek vendimi i Greqisë! Lëreni llumin në batakun e vet!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!