Rama nuk tërhiqet: Pa dialog, nuk ka plotësim të kërkesave të studentëve

schedule08:24 - 14 Dhjetor, 2018

schedule 08:24 - 14 Dhjetor, 2018

Kryeministri Edi Rama nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij, se nuk do plotësojë kërkesat e studentëve, pa një dialog me ta. Në studion e Blendi Fevziut, shefi i qeverisë tha se shumica e studentëve janë me të dhe kjo provohet ngaqë nuk ka thirrje për largimin e tij. Kjo është ajo që mua më dhemb, tha Rama dhe këtë e konsideroj shuplakë. Në analizën e kryeministrit protesta ka tre komponentë, PD, LSI dhe organizatën politike të cilat po përpiqen të orientojnë studentët që të mos dialogojnë me të.

Në mënyrë të përsëritur Kryeministri tha se ishte gati t’i plotësonte 8 kërkesat e studentëve që të nesërmen, por kjo nuk do ndodhte nëse ata nuk do uleshin të dialogonin për të arritur atë që Rama e quan një pakt me studentët për të përmirësuar edhe aspekte të tjera të universiteteve. Sipas shefit të qeverisë ligji për arsimin e lartë nuk do ndryshojë, e problematikat janë shfaqur nga moszbatimi i tij. Këtë e nënvizoi gjatë komunikimit në studio me një student të verbër, që paraqiti shqetësimin se personat me aftësi të kufizuara, paguajnë tarifat universitare, edhe pse me ligj nuk duhet ta bëjnë.

Për herë të parë kryeministri foli edhe për kompaninë që fallsifikoi dokumentet dhe fitoi tenderin për një segment të unazës së re. Ai tha se kjo gjë ka ndodhur edhe me Albpetrolin në të kaluarën, por diferenca me qeverinë e kaluar, janë hapat e menjëhershëm ligjorë që ka ndërmarrë qeveria e tij, ndaj kompanisë falsifikuese për zbulimin e personave që fshihen pas saj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!