Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas njoftimit të kreut të qeverisë Edi Rama se ka siguruar vaksinën anti-COVID. Basha thotë se Rama përpiqet të shesë dështimet si suksese pasi sipas tij Shqipëria është vendi që jep ndihmën ekonomike më të vogël ekonomike për qytetarët e saj.
Kreu i PD shprehet se Serbia dhe Maqedonia e Veriut e kanë nisur vaksinimin, në kohën kur Rama shkoi në Nju Jork për të blerë këpucë të reja, ndërsa bën thirrje për largimin e tij nga qeveria që Shqipëria të ndryshojë e të shpresojë sërish.
“Si përherë Rama përpiqet t’i shesë dështimet si suksese. Shqipëria është vendi që jep ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët e saj. Rama premton të sjellë shumë pak vaksina, dhe shumë vonë krahasuar me vendet e tjera.
Serbia ka nisur ndërkohë vaksinimin, ndërsa Rama shkoi në Nju Jork për të blerë këpucë të reja! Ky i dështuar duhet të largohet nga qeverisja, që Shqipëria të ndryshojë e të shpresojë sërish”, shkruan Basha.
Ndërkohë më vonë në një tjetër status, Basha shprehet se vaksina më e mirë për Shqipërinë është largimi i Edi Ramës, pasi sipas tij vetëm kjo do të na lëvizë nga dështimet drejt suksesit
“Edhe me vaksinat e njëjta histori si me dështimet e Ramës këto 7 vjet. Premtoi 300 mijë vende pune dhe shtoi papunësinë dhe varfërinë, rriti koston e jetës dhe shkatërroi ekonominë. Vaksina më e mirë për Shqipërinë është largimi i Ramës. Vetëm kjo do na lëvizë nga dështimet drejt suksesit, nga dëshpërimi drejt shpresës”, shkruan Basha./mv.abcnews.al