Rama nga Libani me fëmijët e nxjerrë nga kampi: Tani do të marrim edhe të tjerët, presim sinjalin

schedule19:43 - 26 Tetor, 2020

schedule 19:43 - 26 Tetor, 2020

Kryeministri Edi Rama nga Libani, shprehet se nxjerrja nga kampi “Al Hol” e gruas me 3 fëmijët dhe Endri Dumanit i hap rrugën fazës tjetër për të shpëtuar edhe të tjerët. Ai tha se operacioni ka qenë mjaft i komplikuar, por puna vijon për të shpëtuar të gjithë shqiptarët që ndodhen në kampin e ferrit.

Po kthejmë katër fëmijë shqiptarë nga kampi i ferrit në “Al Hol”, nesër në atdhe falë një operacioni të ndërlikuar dhe pas më shumë se një viti përpjekje. Së shpejti edhe fëmijët e tjerë.

Jam i lehtësuar. Nesër do të takojmë gjeneralin që ka qenë një ndihmë shumë e madhe për ne. Dua të veçoj meritën e dy figurave të posaçme, drejtorit të anti-terrorit dhe punonjësit tjetër të policisë që kanë operuar gjatë gjithë kohës në territor dhe konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban. Na ka ndihmuar për të bërë ato lidhjet me faktorët.

Jam shumë i kënaqur, që nesër paradite bashkë me kalamajtë do të kthehemi në Tiranë. E ëma e fëmijëve të vegjël është në një gjendje të vështirë ka një plagë në trup, por edhe ajo do të vijë me ne. 

Ky operacion i hap rrugën fazës tjetër. Presim sinjalin e fundit për të marrë edhe fëmijët e tjerë” tha Rama nga Libani. Vëllai u shpëtua, po motra? Edi Rama u shpreh se për Eva Dumanin janë të komplikuara informacionet. “Gjatë gjithë këtyre ditëve nuk ka qenë e mundur që mund të kontaktohet Eva, është mirë, por janë pak të komplikuara informacionet”.

Floresha Rasha me fëmijët e saj Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha së bashku me djalin e familjes Dumani, Endri Dumanijanë shqiptarët që u nxorën nga kampi famëkeq “Al Hol” dhe që për momentin ndodhen në Bejrut në pritje për të mbërritur nesër në Rinas

Nga i njëjti kamp u riatdhesua edhe vogëlushi shqiptar Alvin Berisha, ngjarje e cila bëri bujë disa muaj më parë. Një pjesë e mirë e vendeve i kishin tërhequr qytetarët e tyre nga kampi në fjalë, ndërsa shqiptarët mbetën aty deri ditën e sotme.

Pritet që në ditët në vijim të bëhet edhe transferimi i të tjerëve./ db/Abcnews.al