Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka vizituar mesditën e kësaj të mërkure qendrën e re shëndetësore të Krujës, rindërtuar nga themelet.
Shefi i qeverisë ëhstë shprehur se ky investim është një tjetër shembull kuptimplotë i ringritjes së sistemit shëndetësor mbi gërmadhat e trashëguara të keqqeverisjes së shëndetësisë për dekada me radhë.
“Në qendrën e re shëndetësore të qytetit, rindërtuar nga themelet me standardet më të mira mbi rrënojën e pashembullt që fyente dinjitetin e qytetarëve krutanë e të bluzave të bardha; një tjetër shembull kuptimplotë i ringritjes së sistemit shëndetësor mbi gërmadhat e trashëguara të keqqeverisjes së shëndetësisë për dekada me radhë. Puna vijon me rindërtimin e spitalit të Krujës, sipas modelit më të mirë të spitaleve bashkiake, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit”, shkruan në profilin e tij në Facebook kryeministri
Duke i’u referuar situatës së krijuar nga Covid19, Manastirliu tha se mjekët e familjes në të gjithë vendin po bëjnë një punë shumë të mirë për ndjekjen e rasteve me Covid 19 dhe monitorimin e tyre.
“Dihet që Kruja ka qenë një nga vatrat e infeksionit. Mjekët e familjes janë duke bërë një punë shumë të mirë për ndjekjen e rasteve me Covid19 të cilat janë me simptoma të lehta, të moderuara apo asimptomatikë, duke operuar me të gjithë strukturat e shërbimit shëndetësor, me Urgjencën Kombëtare dhe me spitalet. Mjeku i familjes, nëpërmjet protokollit që kemi vendosur dhe sistemit elektronik, është në gjendje të shohë në kohë reale se ku janë të sëmurët dhe si ndiqen ato”, tha Manastirliu.
Ndërkohë ministrja Manastirliu informoi se qendra është rehabilituar sipas standardeve më të mira. Sipas saj, kjo është qendra e 180 që po rindërtohet në kuadër të programit për ndërtimin dhe rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore./abcnews.al