Rama në Lezhë, komenton listat e kundërshtarëve politikë: Ata s’vijnë kurrë në pushtet, më 11 maj duhet tharë “këneta”

schedule18:04 - 25 Mars, 2025

schedule 18:04 - 25 Mars, 2025

LEZHË- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nga Lezha, aty ku prezantoi kandidatët për deputetë komentoi dhe formacionin e kundërshtarit politik.

Sipas tij, formacioni politik i kundërshtarit është përzgjedhje e sigurt për të qëndruar në opozitë pasi nuk kanë asnjë shans përballë socialistëve.

“Ata nuk vijnë kurrë në pushtet. Shihni listën që kanë bërë, ajo është istikam për opozitë. Qytetarët që i shkojnë mbrapa kanë një një rrugë e dy punë, që mos t’i bien hasha amanetit kombëtar, për t’u bërë dhe ne një ditë Europë, por duke e braktisur kënetën e thajnë edhe mbase fillojnë dhe lulëzon ndonjë gjë atje se s’do rrijë PS edhe 100 vjet në pushtet. Po kështu siç po shkon puna, PS mund ta mundë vetëm kur të bëhet ndonjë parti me inteligjencë artificiale, pa deputetë realë, të jenë të gjithë të prodhuar me inteligjencë artificiale. Me deputetët realë, me këtë që na dalin përballë është dhe siklet të përballesh”, tha ai.

Ai theksoi se Partia Socialiste është subjekti politik, që di të çojë gjërat përpara.

Sipas tij, në këto zgjedhje, Partia Socialiste ka hedhur në fushë emra të rinj dhe të vjetër për të përfaqësuar çdo grup shoqëror.

“Ne nuk mundemi, jemi një forcë, që çon gjërat përpara si askush tjetër. Së dyti, jemi të organizuar si asnjëherë tjetër. Kjo është [referuar skuadrës], hiq Ulsiun dhe mua, ne jemi tip hudhrash në atë gjerdan për të mos marrë mësysh, kjo është parti e re. Kjo është parti më e re dhe parti më e vjetër. Ka energjinë e të rinjve, ka edhe të gjithë atë pasionin e të rinjve, ka edhe një prurje të re nga të gjitha komunitet dhe profesionet, por ka edhe eksperiencën”, tha ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!