KUÇOVË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u ndal në turin e takimeve elektorale në Kuçovë, ndërsa prezantoi Kreshnik Hajdarin kandidat për garën e 14 majit. Ai tha se Partia Socialiste në këtë bashki nuk diskuton rezultatin, por thellimin e tij në këto zgjedhje.
Kryeministri u ndal tek ndërtimi i bazës ushtarake të NATO-s duke thënë se kjo vepër ka dhënë një impakt të madh për komunitetin dhe për ekonominë në tërësi.
“Këtu nuk diskutojmë rezultatin, por vetëm thellësinë e rezultatit. Edhe pse kemi bërë shumë, kemi bërë shumë pak për atë se çfarë meriton ky popull fantastik për mbështetjen që I ka dhënë PS. Më vjen shumë mirë, se këtu në Kuçovë është duke u ndërtuar një aeroport, i cili jo vetëm rrit në mënyrë domethënëse sigurinë jo vetëm të e vendit tonë, por edhe të Ballkanit, por duke u ndërtuar këtu si një infrastrukturë e NATO-s përbën një burim për ekonominë, punësimin dhe të ardhmen e këtij komuniteti”, tha ai.
Sipas kryeministrit, pavarësisht sfidave, Partia Socialiste ia ka dalë të qëndrojë në krah të qytetarëve. Ai shtoi se votat për “Bashkë Fitojmë” nuk janë gjë tjetër, por shenja tipike e kthimit mbrapa të Shqipërisë.
“Kemi pasur probleme të trashëguara, probleme edhe nga forcat që nuk mund t’i parashikonim dhe i kemi përballuar me shumë angazhim, këmbëngulje dhe me durim. Ju e dini se çfarë grope dhe katrahure na lanë ata, që paturpësisht kërkojnë të kthehen për ta tërhequr Shqipërinë prapa”, tha ai.
Ai u shpreh se Partia Socialiste është kranare për arritjet, ndërsa tha se ka ende punë për të bërë për qytetarët. Rama më tej komentoi dallimin midis kandidatëve të PS dhe të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe për këti bëri këtë koment:
“Kemi bërë shumë punë, por nuk jemi krenarë për çdo gjë që kemi bërë. Por, një qeveri, në radhë të parë duhet të mbrojë njerëzit e vet kur mbi ta vijnë gjëra të paparashikuara dhe ne kemi mbrojtur çdo familje që u prek nga tërmeti, kemi mbrojtur çdo familje që u prek nga pandemia, po mbrojmë edhe tek faturat e energjisë. Fatura juaj nuk tregon çmimin e vërtetë, pikërisht që kriza e çmimit të energjisë, që mos të vijë në shtëpinë tuaj. Unë jam shumë krenar në radhë të parë për këtë. Kjo qeveri ia ka ngritur dinjitetin Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Një qeveri, e cila sot e ka ulur Shqipërinë në tryezën e Këshillit të Sigurimit në OKB. Kjo kthesë ekonomike është pikërisht, tek këto fakte. Kandidatët tanë nuk janë kandidatë të rënë nga qielli, por kandidatët e tyre janë faqja më e zezë ndër shqiptarë. Janë kandidatët e faqes së zëzë, të atyre të dyve, që i kanë marrë dhe i kanë vënë për t’u turrur në bashkitë e vendit për të marrë peng ata që duan të marrin peng”, u shpreh Rama./n.m.abcnews.al