Rama në Korçë, u premton shtëpi të reja banorëve

schedule21:00 - 5 Qershor, 2019

schedule 21:00 - 5 Qershor, 2019

Shtëpitë e shkatërruara nga tërmeti në disa fshatra të Korçës do të jenë rindërtuar deri në vjeshtë. Këtë premtim u bëri Kryeministri Rama përballë banorëve të dëmtuar, gjatë vizitës në këto fshatra.

Edi Rama shkoi të takojë vetë banorët e prekur nga tërmeti i 1 Qershorit në Juglindje të vendit.

Banorëve të fshatit Qafëzez të Ersekës, të strehuar në kampet e ngritura nga strukturat e Emergjencave Civile menjëherë pas tërmetit, shefi i qeverisë u premtoi se në vjeshtë do të jenë në shtëpitë e tyre të reja.

Floqi në Korçë është fshati më i prekur nga tërmeti 1 Qershorit. 75 shtëpi janë evidentuar si të pabanueshme dhe rreth 100 të tjera kanë dëme më të lehta.

Banorëve të strehuar në çadra, në shkollën e fshatit apo dhe në struktura të tjera të emergjencës civile, shefi i qeverisë u premtoi jo vetëm rindërtimin e shtëpive të shkatërruara, por edhe kompensimin për dëmtimin e pajisjeve brenda tyre.

Për familjet e mbetura pa strehë, përveç çadrave të ngritura nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, po ofrohet edhe kujdes shëndetësor 24 orë nga strukturat mjekësore si edhe trajtim ushqimor./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!