BULQIZË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga Bulqiza ku prezantoi projektin “Divizioni”, një model që do të transferojë sipas tij një zonë të degraduar ushtarake, në një destinacion të ri.
Gjatë fjalës së tij, Rama u dha përgjigje kritikëve që pretendojnë se qeveria e tij nuk ka investuar në veri. Rama listoi një sërë projektesh, të cilat kanë transformuar veriun dhe një dëshmi e kësaj shto ai është Rruga e Arbrit.
“’E paimagjinueshme që narrativa perverse diabolike dhe përçarëse nxitëse e urrejtjes, e cila ka dominuar 30 e kusur vite politikën vazhdon ushqen dhe ka njerëz që e hanë që qeveria jonë nuk ka bërë investime në veri. Nëse marrim investime ne veri të qeverisë sonë, përfshirë dhe investimet, që akoma sot nuk kanë përfunduar në rrugën e kombit, në të cilën qeveria e mëparshme, burimi i kësaj narrative të ulët, i ndërtoi vetëm trupin, aksin dhe e la totalisht rrugëve nga të gjithë pjesë e tjera, ku vetëm urat e ndërtuara janë sot atje si rezultat i kësaj qeverie. Janë investime në veri, që të marra së bashku, janë jo njëherë, por disa herë më shumë. Rruga e Arbrit nuk është në jug, por është në veri. Nuk është në jug, por në veri rruga që shkon në Vermosh dhe këtë e ka bërë kjo qeveri. Rruga Shkodër-Velipojë. Ashtu sikurse rruga e Dukagjinit, që është në veri. Rruga që të çon në Valbonë, që ishte një shirit ndërtimi i hedhur në tokë, ku nuk kishte rrugë, por kishte borxhe edhe për kompaninë atje nuk është në jug, por është ne veri. Të gjithë agroturizmat që janë ndërtuar deri më tutje Bajram Currit, aty ku maja e malit rri bashkë me retë. Me mbështetjen e qeverisë, përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, për të cilën në mënyrë të pacipë çfarë nuk thonë sot, por ajo ka lënë gjurmët e 500 projekteve transformuese për bujqësinë, nuk janë në jug, por në veri”, tha Rama.
Më tej, Rama tha se iniciativa “Paketa e Maleve” është hedhur për konsultim publik dhe kjo do t’u japë mundësi të gjithë të larguarve, që kursimet t’i investojnë në tokën e të parëve të tyre.
“Do finalizojmë dhe “Paketën e Maleve”, e cila është në konsultim publik aktualisht, për t’u dhënë mundësi shqiptarëve në të gjitha zonat malore dhe për t’u dhënë atyre mundësi që i kanë lënë këto male për të shkuar në perëndim, dhe të vijnë pa asnjë pengesë dhe përmes një mekanizmi mbështetjeje me shumë pak letra, të mund të investojnë këtu kursimet e tyre. Ky vend nuk kthehet më mbrapa. Ky vend po bëhet dita ditës. Ne mund të vazhdojmë të synojmë të fluturojmë vetëm duke forcuar këmbët dhe duke e çuar hap pas hapi për të përmbushur vizionin Shqipërinë 2030, e cila do jetë anëtare e BE”, tha ai./abcnews.al