Rama: Në BE, me PS-në. Të mbrojmë drejtësinë nga ofensiva e bufit/ Berisha kundër integrimit: Shqipëria s’e meriton

schedule19:06 - 13 Prill, 2025

schedule 19:06 - 13 Prill, 2025

Rama para, Berisha mbrapa. Dy liderët kryesorë të politikë shqiptare sfiduan njëri tjetrin në Itali, 100 kilometra në distancë. Kryesocialisti mbushi sallën e kongreseve në Busto Arizio të Milanos, me qytetarë që punojnë e jetojnë në vendin fqinj.

Rama u ofroi emigrantëve në këmbim të votës, hyrjen në Bashkimin Europian. Ai e konsideroi këtë edhe një bast me Europën në këto kohë të vështira.

“Me një votë bëjmë historinë. Për Shqipërinë, që në 4 vite, mund ta bëjmë anëtare të BE. Për herë të parë, e kemi në dorë vetë. Të fitojmë bastin historik me Shqipërinë në Europë, dhe me Europën në Shqipëri. Thirrje edhe për demokratët, kjo nuk është ndeshje Inter-Milan, por për historinë tonë.”, tha Rama.

Kundrejt ofertës së tij, Rama tha se qëndron vota për Sali Berishën, i cili prioritet ka hallet personale. Ai shtoi se vota për partitë e reja është po aq dëm sa për doktorin.

“Nuk mund ta humbasim këtë shans as për mustaqet e Kujtim Gjuzit, as për hallin personal të bufit të kënetës që fshihet nën mustaqet e Kujtim Gjuzit. Janë dhe ca të tjerë, jo bëhet jo s’bëhet, jo mundet jo s’mundet, jo bashkë jo veç, janë të rinj vetëm në moshë, mbushin listat me farefis. Verë baxhanak e krushq, e premtojnë qiqra në hell. Dëm vota dhe për ta”, shtoi kryeministri Rama.

Rama u kërkoi emigrantëve të vendosin, mes votës për të mbrojtur SPAK, apo për ta shkrirë atë.

“Ne do e garantojmë drejtësinë, me futjen në BE. Ata janë këneta që jo vetëm asnjëherë nuk i kanë lënë drejtësisë radhë të thotë fjalën e vet. Ka arritur ajo kënetë të marrë jetë të pafajshëm, e të pengojë drejtësinë. Ata duan të shkrijnë SPAK, por më 12 maj do prezantohen vetëm me Noc Rrokun.”, u shpreh Rama.

Kryesocialisti njoftoi se 3 ditë më parë është firmosur dokumenti i fundit për njohjen e pensioneve me Italinë, ndërsa u surprizua në Milano, me një dhuratë nga ish-futbollisti i Juventusit Alesio Takinardi, një bluzë bardhezi me numrin 5 dhe emrin e Ramës.

Kurse Kryedemokrati Sali Berisha priti mbarimin e fjalës së Ramës për të nisur takimin e tij. Me vete kishte dy magjistarët, Kris La Civita dhe Paul Manafort dhe mblodhi emigrantë shqiptarë në teatrin 1800 vendesh të Breshias.

Berisha u tregoi atyre, se në Strasburg shkon për të bindur miqtë e tij europianë, pse Shqipëria nuk e meriton BE.

“Vij me lajme të mira miq. Maskat ranë. Paraqita narkodiktaturën e Ramës në Strasburg, mandati i katërt i tij, sepse arrestoi liderët e opozitës. Liccensoi kanabisin. I informova se ne do fitojmë. S’ka bandë e krim të mposhtë shqiptarët në botë.  Europa sytë i ka te 11 maji. Më 11 maj qytetarët firmosin fundin e Ramës.”, tha Berisha.

Berishës nuk i ndahen hallet e tij, madje duke i krahasuar ato me të një emigranti në Itali.

“Kemi kaluar një opozitë të gjatë. Rithemelim i vështirë. Donin të na zhduknin. Por ashtu si jeta e çdo emigranti, siç fiton diaspora, ashtu do fitojmë dhe ne. Do e shpëtojmë Shqipërinë”, shtoi ai.

Ndërsa kontrata mbetet enigmë, kryedemokrati siguroi të vetët se la Civita nuk ka ardhur për para, por e ndjeu nga Uashigtoni se një non-grata në Tiranë, do të rikthehet për herën e tretë në pushtet.

“ La Civita nuk erdhi, nuk erdhi as për para, as për influence, sepse opozita të tjera më të mëdha se e jonai kishin bërë dhjetëra e dhjetëra oferta. Por arkitekti i rikthimit, e ndjeu se Sali Berisha dhe PD duhet të kthehen në pushtet.”

Por edhe kësaj radhe kryemagjistari La Civita nuk zhgënjeu. 2 minuta fjalim, krah përkthyesit Fatmir Mediu.

“Në 2024 Donald Tramp fitoi sepse bëri pjesën më të madhe të amerikanëve të votojnë . Ju duke votuar Berishën, keni mundësi ta bëni Shqipërinë Madhështore Përsëri”.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!