Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi se kryeminsitri Edi Rama do të zhvillojë takime jo vetëm në Greqi, por kudo ku ka shqiptarë.
Gjatë një deklarate për mediat, Klosi u shpreh se ky është një standard europian.
Klosi shtoi se kryeministri grek ka qenë në Dropull për fushatë dhe Tirana zyrtare nuk ka ndikuar.
“Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste ka shkuar disa herë në Greqi apo vende te tjera për të takuar emigrantët. Ne, strukturat e Partisë Socialiste kemi pasur takime të vazhdueshme ku ka shqiptarë, për të krijuar degët tona të partisë. Asnjëherë nuk ka pasur këtë vëmendje dhe debat. Është një standard krejt europian. Kryeministri i vendit fqinj, Greqisë ka qenë në fushatë elektorale në takime në zonën e Dropullit, nuk kemi ndikuar drejtperdrejt në fushatë. Kryetari i opozitës greke ka qenë në Dropull, kjo nuk është shqetësim për Tiranën. Nuk ka ndjesi që po i njëjti debat do e shoqërojë Ramën në Londër, Dyseldorf. Është pothuajse aspak e krahasueshme apo e justifikueshme për një debat të takimit të një kryeministri me bashkëatdhetarët e tij”, theksoi ai./abcnews.al