DURRËS- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka publikuar pamje nga puna, që po vijon për rikonstruksionin e Muzeut Kombëtar Arkeologjik në Durrës.
Sipas Ramës, thesaret e historisë, me mbi 2400 objekte arkeologjike, do t’i rikthehen qytetit dhe gjithë Shqipërisë në pavione moderne dhe kushte bashkëkohore.
Ai theksoi se “brenda vjeshtës, në pavione moderne e kushte bashkëkohore, muzeu do të kthehet në një atraksion të rëndësishëm të turizmit kulturor dhe një hapësirë tërheqëse për vizitorët.
Punimet restauruese në këtë objekt po kryhen në kuadër të programit EU4Culture, që zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit, i hapur për herë të parë në vitin 1951 dhe më pas i zgjeruar në vitet ’80, është një nga institucionet më të rëndësishme të arkeologjisë shqiptare.
Ai ruan objekte që datojnë nga periudha ilire, helenistike, romake dhe mesjetare, duke e bërë një nga qendrat kryesore të studimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në vend.

