Rama ndan pamjet: Ura e re e Kukësit, i jep zgjidhje nyjes së vjetër lidhëse të dy anëve të liqenit me rrugën kombëtare

schedule09:53 - 3 Mars, 2024

schedule 09:53 - 3 Mars, 2024

KUKËS- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar në faqen e tij zyrtare “Facebook” pamje nga momentet e fundit të punës për ndërtimin e Urës së re të Kukësit.

Shefi i qeverisë shprehet se pas një pune të gjatë, ndërtimi i një vepre të madhe publike si Ura e Re e Kukësit, i jep zgjidhje një nyjeje të vjetër lidhëse të dy anëve të liqenit me rrugën kombëtare.

Ai thekson se kjo vepër infrastrukturore sjell edhe një shenjë të bukur kuptimplotë për nga përmasa inxhinierike dhe estetike, për të gjithë udhëtarët në atë rrugë.

“Mirëmëngjes dhe me momentet e fundit të punës së gjatë për ndërtimin e një vepre të madhe publike si Ura e Re e Kukësit, e cila jo vetëm i jep zgjidhje një nyjeje të vjetër lidhëse të dy anëve të liqenit me rrugën kombëtare, po sjell edhe një shenjë të bukur kuptimplotë për nga përmasa inxhinierike dhe estetike, për të gjithë udhëtarët në atë rrugë, ju uroj të diel të këndshme”, shkruan Rama.

Ura e Madhe e Kukësit bashkon brigjet e Drinit në Rrugën e Kombit. Ura e re e Kukësit ka dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa në të gjithë gjatësinë e saj është konstruksion metalik, me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme. Ajo po zëvendëson urën e vjetër ekzistuese që ka më shumë se 45 vite që mban “mbi supe” me mijëra mjete përgjatë viteve.

Investimi prej 30 milionë dollarësh e bën atë një ngjarje ekonomike për zonën dhe lidhjen e Shqipërisë me Kosovën. Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin është projektuar nga inxhinieri italian Giorgio Rizzo.

Ajo ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra dhe peshon rreth 5000 ton.  Do të ketë 4 korsi, në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!