Punimet për ndërtimin e argjinaturës në zonën e Karavastasë po shkojnë drejt fundit, duke siguruar mbrojtjen e tokave bujqësore të Bedatit nga ujërat e Adriatikut.
Lajmin e dha kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai thekson se kjo ndërhyrje garanton gjithashtu funksionimin normal të sistemit të kullimit drejt hidrovorit.
Sipas Ramës, puna do të vijojë me rikonstruksionin e plotë të infrastrukturës, duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme në shërbim të fermerëve të zonës.
“Mirëmëngjes dhe me përfundimin e punimeve për argjinaturën në Karavasta, që mbron tokat bujqësore të Bedatit nga ujërat e Adriatikut dhe garanton funksionimin e sistemit të kullimit drejt Hidrovorit, ndërsa vijon puna për rikonstruksionin e plotë me zgjidhje të qëndrueshme në shërbim të fermerëve, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në “Facebook”/abcnews.al


