Qeveria ka ndërmarrë një reformë të thellë në sistemin e kadastrës, duke mbyllur të gjitha sportelet e duke shërbyer vetëm online përmes aplikimeve në E-Albania. Edi Rama mblodhi në kryeministri deputetët dhe kryetarët e bashkive për t’jua thënë në sy se ishin përgjegjës për gjendjen e pronave sot.
“Ju e keni penguar kadastrën: deputetë, ministra, kryetarë bashkish”
Duke i fajësuar të pushtetëshmit e tij se kishin imponuar drejtorët dhe punonjësit e kadastrave, Rama ju tha me bindje se pas të hënës, askush s mund të bëjë manipulime me pronat.
“Të hënën në 3 korrik kadastra nuk është më e aksesushme. Ju nuk do mbaroni asnjë punë, asnjë militant apo kushëri që keni futur në punë aty, nuk do ju përgjigjet dot, se nuk do të ketë gjë në dorë. Kanë filluar të ikin. Do ta ndjej me kënaqësi dhimbjen tuaj kur nuk do t’ja dilni më të mos e kapni një pronë”
Duke pranuar se korrupsioni ka vijuar edhe gjatë qeverisjes së tij, Edi Rama ju drejtua shqiptarëve për të thënë dicka, që sic pohon ai, ka dashur ta bëjë prej kohësh.
“Ndjesë në emër të PS gjithë shqiptarëve që kaluan në zinxhirin e torturave në Kadastër. Kjo është ndjesa e një kryetari partie fajtore. Nuk është gjithë partia, por udhëheqja e partisë së pari”
Duke thelësuar se Kadastra bashkëjeton me kërcënime nga të 4 anët, shefi i qeverisë ju bëri këtë apel qytetarëve.
“Mos shkoni qytetarë në Kadastër, se nuk ju pret më askush. Vetëm E-Albania”
Drejtorët e kadastrave nuk kanë më vula në duar, ato janë mbledhur të gjitha duke lënë vetëm vulën elektronike, situatë kjo që sipas kryeministrit ka villuar të shkaktojë pakënaqësi nga brenda sistemit.
“Pres dorëheqje masive në Kadastër”
Nga ana tjetër, qeveria premton rritje të konsiderueshme pagash për punonjësit në Kadastër.