Rama “mori” në dorë edhe fondet e huaja, tjetër agjenci qeveritare

schedule14:30 - 30 Tetor, 2021

schedule 14:30 - 30 Tetor, 2021

Nga Erneta Shevroja

Krijohet një tjetër Agjenci nën varësi të Kryeministrit. Pas asaj për Mediat dhe Bashkëqeverisjes, tashmë në dorë të Kryeministrit do të jenë dhe Fondet e huaja.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është marrë vendimi për krijimin e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, që për mision do të ketë koordinimin e ndihmës së huaj monetare që jepet nga Bashkimi Europian dhe donacione të tjera, për Shqipërinë.

Kjo agjenci, do e shtrijë në varësi të Kryeministrit, dhe do e shtrijë veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Shqipërisë. Agjencia në krye do të ketë një drejtor që emërohet nga Kryeministrit dhe do të përgjigjet para tij.

Lexo edhe: PD: Po shpiken agjenci të reja për interesa korruptive

Sipas vendimit, Agjencia në bashkëpunim me ministrinë e Financave dhe komunitetin e donatorëve, do të koordinojë ndihmën e huaj financiare që merr Shqipëria për programe zhvillimore, që prekin dhe projektet e integrimit.

Po ashtu kjo agjenci do të jetë përgjegjëse jo vetëm për koordinimin e programeve kombëtare por edhe ndërkufitare, si dhe çdo formë tjetër e asistencës financiare të BE-së, si dhe bën monitorim të zbatimit të tyre.

Gjithashtu, kjo strukturë e re, do të jetë përgjegjëse dhe për përcaktimin e nevojave të institucioneve shtetërore, për mbështetje financiare.

Kjo agjenci do të ofrojë dhe mbështetje profesionale për misionet diplomatike të vendit, për përfitimin e fondeve nga ana e tyre për projekte të ndryshme.

Më pare, fondet e BE menaxhoheshin nga një drejtori e posaçme, e ngritur në Ministrinë e Financave. Tashmë ato do të jenë pranë kryeministrit.

Kjo është Agjencia e tretë, pas asaj për Median dhe Bashkëqeverisjen, që po krijohet, që nga momenti kur Edi Rama mori zyrtarisht detyrën për mandatin e tretë qeverisës më 18 shtator./ Abcnews.al