Rama ministër i Jashtëm? Shehu – Marku: De fakto s’ndryshon asgjë

schedule16:33 - 14 Janar, 2019

schedule 16:33 - 14 Janar, 2019

Vendimin e Kryeministrit Rama për të propozuar emrin e tij si Ministër i Jashtëm pas refuzimit të zotit Cakaj nga kreu i shtetit Ilir Meta, demokrati Tritan Shehu dhe analisti Mark Marku e shohin si formalizim të asaj që ndodh de facto. Kryeministi merr vendimet për ministrat e tij.

Zhvillimet politike në vend rreth pyetjes se kush do të zërë karrigen e shefit të diplomacisë Shqiptare kanë marrë një tjetër drejtim pas vetë-propozimit të kryeministrit Rama për postin në fjalë, depozituar në presidencë të hënën e 14 janarit.

Kjo lëvizje e konsideruar si adoptim i skenarit “Tsipras”, për ish-ministrin e jashtëm  Tritan Shehu nuk zhbën propozimin e parë të kryeministrit për këtë post, e aq më pak refuzimin e marrë nga kreu i shtetit.

Tritan Shehu: “Paralelizmi me Greqinë dhe Kotzias nuk ka asnjë lidhje me gjendjen këtu… këtu Kryeministrit ju rrëzua kandidatura e shumëmbështetur e cila nuk ishte kështu dhe u rrëzua me argumenta seriozë dhe që bien ndesh shkaqet me interesin kombëtar…”.

Ndryshimin e propozimit të kryeministrit për kreun e ministrisë së jashtme, analisti Mark Marku e sheh vetëm në rrafsh nominal, e jo në përmbajtje.

Mark Marku: “Fakti që bëhet apo nuk bëhet Ministër i Jashtëm Rama nuk ndryshon asgjë sepse edhe po të ishte ky nuk ndryshon asgjë…. ne kemi një Kryeministër që është ministër i të gjitha ministrive dhe ministrat janë zv.ministra…”.

Argumenti i përgjegjësisë politike nuk e bind Mark Markun.

“Ai përgjegjësi nuk mban, s’ka mbajtur ndonjëherë, që në elementë normal, është sjellë si trajner kombëtareje. Në takime formale diplomatike të nielit të lartë duke mos respektuar protokollin, që ktu fillon diskutimi a mund të jetë ministër i Jashtëm Rama”.

Për demokratët, rrugëdalja e kryeministrit nga kjo situatë është vetëm një.

“Dorëheqja, dorëheqja, dorëheqja… sepse u rrëzua një kandidaturë e mbështetur fort prej tij, me arsye të rënda për një vend si Shqipëria”, tha më tej Shehu. 

Sa i përket diplomacisë shqiptare, e cila vuan pasojat e politikës së brendshme sipas Mark Markut, nevoja për një ndryshim të qasjes është e menjëhershme.

“Për shembull ne nuk kemi një strategji të politikës së jashtme, që identifikon aleatët, qëndrime të caktuara të cilat nuk ndryshojnë…ne e kemi shumë të personalizuar politikën e jashtme si të brendshmen, ka mik Erdoganin lidhemi me Turqinë, ka miqësi me Merkel lidhemi me Gjermaninë, nuk mund të mbështete politika e jashtme mbi preferenca personale edhe të krerëve të shtetit…duhen ndërtuar kolona të politikës së jashtme që ne fatkeqësisht nuk i kemi”.

Hetimi parlamentar i kërkuar nga kreu i shtetit Ilir Meta dhe materializuar institucionalisht nga opozita mbi procedurën e akreditimit të zv.ministrit Cakaj nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, është çështje proceduriale por mban në thelb pikërisht mungesën e përgjegjshmërisë qeveritare për Mark Markun.

“Çështje proceduriale është …por problemi është thelbësor… mendoj që kjo nxjerr thelbin e mosfunksionimit të shtetit shqiptar, i shkrepet Kryeministrit të bëj ministër një askush, thyen të gjitha procedurat dhe ja kjo na bën jo serioz me partnerët ndërkombëtarë”.

Kreu i qeverisë njoftoi se do të mbajë postin e ministrit të brendshëm deri në ri-ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, inekzistente prej thuajse një viti, ku kryeministri Rama paralajmëron ankimimin e refuzimit të presidentit për dekretim të shkarkimit të ministrit Bushati dhe emërimit të Gent Cakajt në vend të tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!