Kryeministri Edi Rama pasditen e sotme zhvilloi një takim me kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës. Në fjalën e tij, kreu i socialistëve u shpreh se skuadra “PS2021” është në vrapim drejt 25 prillit për objektivin, 20 deputetë në zgjedhjet parlamentare. Edi Rama vlerësoi dy udhëheqëset e listës së Tiranës, Luljeta Bozon dhe Najada Çomon.
“Luljeta me Najadën nuk janë zgjedhje të rastësishme. Cfarë do të kishim bërë, si do të mund ta përballonim si shoqëri goditjen nga virusi nëse nuk do të kishim bërë gjithë ato punë të mëdha që janë bërë në sektorin e shëndetësisë.
Është e paimagjinueshme ta mendosh që cfarë mbështetje, përkujdesje, mundësie do të kishte sistemi ynë shëndetësor, për t’u qëndruar mjekëve, infermierëve dhe sallat e reanimacionet nëse virusi do të kishte zbritur disa vite më parë, kur sistemi ynë ishin në një gjendje, të thuash e mjerueshme është pak.
Prania e Luljetës dhe Najadës në këtë skuadër është nga njëra anë adresimi i nevojës së përfaqësimit tek kategori profesionistësh dhe individësh që kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në këto 15 muaj të fundit nëse nisemi që nga tërmeti”.
Për rindërtimin, Rama kishte një premtim për familjet që janë ende në çadra. “Deri në pranverën e ardhshme do të jenë sistemuar të gjitha familjet që kanë nevojë të kthehen në një shtëpi të re. Ajo që kemi bërë në këto dy drejtime, mbase nuk mjafton për të qenë të kënaqur, por del dhe tepron për të garantuar se jemi e vetmja forcë që kemi idenë se si mund të arrijmë aty ku duhet, dhe kemi aftësinë dhe eksperiencën. Ne e dimë se ku duam të shkojmë dhe sesi do të shkojmë aty ku duhet për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë, shtëpi të përbashkët, ku të gjithë fëmijët e këtij vendi të ndihen krenar” tha ai.
Por përse i duhet PS-së një mandat i tretë? “Një mandat të tretë që i duhet patjetër vendit për të bërë përfundimisht të pakthyeshëm cdo proces transformimi dhe për të mos përsëritur historinë, që në më shumë se një rast ka treguar se kur drejtimi shkon në krahun e atyre që janë përballë nesh, gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur” tha Rama./ db/ Abcnews.al