Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për udhëtimin e tij me helikopter drejt Korçës dhe më pas Vlorës, duke i cilësuar debatet politike dhe mediatike si të pavend.
Rama sqaroi se udhëtimi është bërë në kuadër të shoqërimit të një grupi investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, të cilëve po u prezantohen hapësirat e “Polit të Dijes” në Korçë dhe kompleksi i ri universitar në Vlorë, si dy destinacione me potencial për universitete të njohura ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë hodhi poshtë edhe akuzat lidhur me bllokimin e një aksi rrugor, duke e lidhur situatën me një rrëshqitje gjeologjike të masivit natyror pranë rrugës së vjetër, që sipas tij ka ndikuar edhe në aksin e ri. Ai theksoi se ngjarja nuk ka lidhje me përgjegjësi profesionale apo teknike të projektuesve dhe autoriteteve.
Në reagimin e tij, Rama bëri një krahasim me situatën në Itali, ku sipas tij po ndodh një rrëshqitje masive që rrezikon një zonë të banuar, por pa u shoqëruar me “histerinë” politike që, sipas tij, ndodh në Shqipëri.
Duke iu përgjigjur kritikave, ai u shpreh se ka udhëtuar në çdo cep të vendit më shumë se çdo kryeministër tjetër dhe se mbështetja elektorale e vazhdueshme është përgjigjja më e mirë ndaj “tenxhereve mediatike e dallavereve politike”.
Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar… pic.twitter.com/asaVv0Sngz
— Edi Rama (@ediramaal) February 23, 2026


