Rama me fermerët: Heqja e TVSH-së ka reduktuar kostot

schedule15:40 - 30 Maj, 2019

schedule 15:40 - 30 Maj, 2019

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa inspektime në zonën e Lushnjës. Ai është njohur me efektet e lehtësive fiskale që janë aplikuar në tërësi e në mënyrë të veçante heqja e TVSH-së  për makineritë dhe inputet bujqësore që ka mundësuar investime të reja në teknologjinë bashkëkohore të bujqve dhe fermerëve. 

Është një ditë e zakonshme pune në tregun e Divjakës. Kështu njofton zyra e shtypit e Kryeministrisë mbi vizitën që numri një dhe numri dy i qeverisë kanë bërë në këtë treg agro-ushqimor.

Vetëm fjalë të mia dëgjon Kryeministri Rama nga fermerët.

“Ky vit bujqësor na ka shpërblyer për të gjitha kulturat. Kemi dalë shumë mirë. Prodhimet na janë shitur dhe vazhdojnë të shiten. Ka zbutje në të gjitha inputet bujqësore. Edhe sa i përket plehut të bimëve, apo çdo produkti që nevojitet për përkujdesjen e bimëve i marrim më lirë,” – shprehet një prej fermerëve.

Sipas zëvendëskryeministrit njëherësh edhe deputet i zonës Erjon Braçe, suksesi i fermerëve, ndonëse të rinj në moshë, qëndron tek përkushtimi i tyre ndaj tokës dhe fakti që të ardhmen e tyre kanë dëshirë ta ndërtojnë në vendin e tyre.

 “Divjaka gjithë suksesin e ka tek këta djemtë  e rinj, të cilët nuk kanë ikur, që kanë ndenjur, që punojnë me tokën dhe që duan mbështetje për atë pjesë që na takon ne si qeveri. Deri tani kanë marrë atë që kemi dhënë ne nga inputet bujqësore. Heqja e TVSH-së për makineri dhe  pajisje e ka dhënë efektin. Një pjesë që kanë marrë fitime i kanë bërë makineri bujqësore. Nuk i kanë as në llogari, i kanë bërë investime. Një pjesë tjetër po i bën sera. Ato lekë që kanë fituar po i bëjnë sera. E natyrisht po shtohet prodhimi, rritet dhe djemtë e rinj këtu nuk largohen prej këtej,” – u shpreh ai.

Tregu agro-ushqimor i Divjakës, me sipërfaqe prej 1 hektar, është vendi ku çdo ditë mbledh fermerët e zonës, për të tregtuar prodhimet e tyre, por edhe për të promovuar  produktet vendase dhe tërhequr eksportues.

Kryeministri Edi Rama ka vizituar edhe një fermë në  që ka përfituar një vit më parë nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 12,3 milionë lekë të cilat i investoi për shtimin e kapaciteteve prodhuese.

Në fshatin Kamenicë të Divjakës, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga zv/Kryeministri Erjon Braçe, panë nga afër pjesën fundore të veprës më të madhe vaditëse të gjithë këtyre viteve në zonën e Myzeqesë. Që do të përmirësojë rreth 5100 hektarë tokë, të cilët kanë pasur mungesë të ujit të ëmbël.

Ndërsa në Babunjë pa punimet e kryera në  rrugën e këtij fshati që e lidh me Fierin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!