Nuk ka pushime vere për socialistët.
Edi Rama e nisi ditën këtë të premte në Partinë Socialiste, ku në hyrje të selisë, i kishin rezervuar një surprizë në ditën e lindjes.
Për afro 70 minuta, kryesocialisti vijoi diskutimet me dyer të mbyllura me kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës dhe deputetët aktuale e fitues të 11 majit.
Rama u kërkoi të tijve të dalin në terren dhe të bisedojnë me qytetarët e Tiranës në mënyrë që të njohin nga afër problematikat e tyre.
Njëjtë si një ditë më parë, Rama nuk ka folur për Erjon Veliaj apo mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme por mësohet të ketë thënë:
Nuk po e bëjmë këtë gjë duke menduar nëse do të ketë apo jo zgjedhje, por ne që na besuan qytetarët duhet tja kthejmë besimin në shërbime.
Dhe në përmbushje të këtij objektivi, Rama ka kërkuar që puna në kryeqytet të ndahet në blloqe për të skanuar kshtu edhe 4 fushat prioritare; hapësirat publike, parkingjet, lejet e ndërtimit dhe shërbimet.
Në krye të punëve do të qëndrojnë Anuela Ristani dhe Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit do të bejë edhe ndarjen në terren të deputëve të rinj të cilët nuk kanë një zonë elektorale.
Ndërsa për zgjidhjen e problematikave të qytetarëve, kur do të jetë e nevojshme do të nderhyjnë edhe ministrat Malaj, Goxhaj, Hoxha, Ibrahimaj apo Mazniku.
Prej 5 muajsh, Bashkia e Tiranës po drejtohet me kryetar të komanduar ndërsa punët e kryeqytetit kanë qënë në monitorim të vazhdueshëm nga qeveria.

