Rama letër të tretë publike Bashës: Qeveria asnjë shans të ndryshojë pa zgjedhje

schedule09:04 - 24 Maj, 2019

schedule 09:04 - 24 Maj, 2019

Kryeministri Edi Rama ka nisur letrën e tretë publike në tre ditët e fundit drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Krahas ftesës për dialog politik kryetari i qeverisë  shkruan se zgjedhjet në 30 qershor do të zhvillohen dhe se nuk ka ndryshim qeverie pa zgjedhje.

 “Zoti Kryetar,

kjo letër e tretë po shkruhet pas leximit të mesazhit Tuaj drejtuar qytetarëve, si përgjigje me spond ndaj letrave të mia në adresën Tuaj për t’u ulur në Tryezën e Dialogut”.

Në nisje të letrës së tretë publike që kryeministri Edi Rama ia drejton kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha tregon mendimet që e pushtuan teksa lexonte përmbledhjen e akuzave sic e quan ai që i bëri kryedemokrati në përgjigjen me shkrim që i ktheu këtë të enjte.

“Por unë fatmirësisht s’kam gisht në zgjedhjen Tuaj dhe prandaj edhe s’kam se si ta përjetoj keq personalisht, faktin se Ju jeni ky që jeni. Kështu që pa problem, asgjë personale!”.

Në gjuhën habitore i thotë kryedemokratit Basha se gjithçka ka thënë e ka bërë nuk i kanë dhënë vota më shumë, përkundrazi.

“Por është ende më i habitshëm fakti, se edhe pse megjithë këtë gjuhështhurrje ekstreme, Ju as i keni fituar, as do t’i fitoni dot deri kur të largoheni nga detyra votat e shumicës së shqiptarëve, ashtu sikundër as keni bindur e as bindni dot, asnjë mik e partner ndërkombëtar të Shqipërisë, Ju vazhdoni i bini fyellit po njësoj. Madje jo, i bini fort e më fort!”

E ka lexuar me kujdes letrën e kryetarit të Partisë Demokratike dhe midis rradhëve ka gjetur fakte për ti bërë një tjetër ftesë.

“Edhe pse Ju jeni natyrisht në dijeni të disa gjyqeve që unë kam nisur me Ju (për shpifje sigurisht), në mesazhin Tuaj të djeshëm, keni grumbulluar shumë syresh. Prandaj, për hir të këtij komunikimi të hapur mes nesh, po Ju bëj me dije se do t’Ju ftoj në gjykatë për të sjellë qoftë edhe një provë të vetme për maskarallëqet që keni artikuluar në mesazhin Tuaj të djeshëm; që nga 30 milionë eurot që paskam dashur të vjedh e të pastroj në Amerikë me një kompani fallco(!) e me radhë të tëra, tek im vëlla që qenka zbuluar i lidhur me një grup kriminal trafikantësh droge(!), e deri tek negociatat e mia për kufijtë e Shqipërisë(!)dhe madje edhe të Kosovës!”

Të gjitha këto e bëjnë të ndjehet më i fortë kryeministri duke besuar se këtë fuqi do ta shohë të mbushur në kutitë e votimit në 30 qershor.

 “Ndërsa kur ma kërkoni dorëheqjen Ju dhe populli imagjinar i punonjësve të bashkive që do dorëzoni si Çeçua në 30 qershor, bashkë me ujësjellësat e falimentuar, që furnizojnë më shumë militantë në protestat Tuaja se sa ujë në çezmat e njerëzve, mua vetëm më shumëfishohen fuqitë për të vazhduar luftën me plagët e panumërta të trashëgimisë Suaj qeverisëse”.

Kjo letër e tretë publike e kreut të qeverisë përmban sugjerime për të lënë mënjanë mllefin, kërkesa për tu ulur në tryezën e dialogut politik, por në fund mbyllet duke I treguar edhe kufirin kryetarit të Partisë Demokratike.

“Kështu që i dashur Lulzim, shkeputu nga krahët e mllefit që ta ka çuar për pambuk logjikën, çlirohu nga paniku i humbjes që të rri shkruar mbi ballë, mbaje për vete e për Plakun tënd Digjital frikën nga Reforma në Drejtësi dhe bëj atë që bën çdo udhëheqës në këtë situatë të padëshiruar: Ulu në Tryezën e Dialogut!

Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje. Asnjë shans të më ndaloni mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë të kryejmë misionin historik të transformimit europian të Shqipërisë”. /ABC News Albania 24/7

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!