“Ndërhyri në punët e brendshme!” Rama sulm Osmanit: Bëri propagandë këtu për vota në Kosovë

schedule11:28 - 24 Dhjetor, 2020

schedule 11:28 - 24 Dhjetor, 2020

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmanit. Pak ditë më parë në vizitën e saj në Tiranë, Osmani u prit ftohtë nga kryeministri, jo sipas protokollit, ndërsa ajo mbajti një fjalim të fortë në foltoren e Kuvendit, duke kundërshtuar traun në Rrugën e Kombit dhe Minishegenin Ballkanik.

Gjatë konferencës së sotme për mediat, Rama u shpreh i ashpër me qëndrimet e Osmanit, ndërsa tha se politika e brendshme është ngatërruar me atë të jashtme.

Debatin për traun, kryeministri e ka cilësuar grotesk, duke ju drejtuar Osmanit, ai tha se kjo është të bësh politikë me një çështje administrative me vendin fqinj. Kreu i qeverisë bëri akuza të rënda teksa iu referua zyrtares së Kosovës. Sipas tij Osmani vjen për të bërë propagandë në Tiranë me qëllim që të fitojë vota në Kosovë.

“Unë mund të them që sigurisht objektivi ynë ka qenë dhe mbetet zero problemeve fqinjët. Por zero problemeve fqinjët nuk o të thotë fshehe e problemeve por zerim. Nuk është se ne kemi probleme, nuk kemi asnjë problem me Kosovën. Për fat të keq Kosova ka probleme me veten dhe nëse mund të bëj një përkufizim, prej disa kohësh politika e brendshme është bërë politikë e jashtme dhe ajo e jashtme është bërë e brendshme.

Kjo e ka rraskapitur Kosovën. Është një problem që e shoh me shumë shqetësim e kam adresuar në mënyrë konstante në të gjitha bisedat e mia me udhëheqësit në Kosovë. Jam përpjekur edhe publikisht pa dashur të rëndoj askënd. Është tipike ajo që ndodh me qasjen ndaj Shengenit rajonal ku një nga shtylla e politikës së jashtme që ka të bëjë me politikën rajonale është bërë si kalaja e Rozafës në Kosovë. Për mua është e pakonceptueshme që një qeveri legjitime të firmosin  vullnetin e shtetit të Kosovës në shtëpinë e Bardhë për shengenin dhe një presidente në detyrë shfaqet në Shqipëri të bëjë politikë të brendshme me këtë.

Akoma më grotesk është debati për traun. Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi i vendosur për Kosovën. Kjo është të bësh politikë me një çështje administrative me vendin fqinj, të vish në Tiranë, të bësh propagandë për të fituar vota në Kosovë. Ai tra atje nuk është kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse për zonjën Vjosa atdheu është Kosova dhe Shqipëria ky tra është në mes të atdheut dhe duhet ta paguajnë të gjithë atdhetarët”, tha Rama.

Kujtojmë se e pyetur në studion e ABC pas përfundimit të takimeve të saj në Tiranë, Osmani tha se protokolli është i qartë për të gjithë dhe se ajo nuk përfaqëson veten e saj por dy institucionet më të larta të Kosovës. g.v/abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!