Rama krah bluzave të bardha: Mjekët nuk janë djaj

schedule20:00 - 26 Mars, 2019

schedule 20:00 - 26 Mars, 2019

Pas disa ditësh pritet të publikohen ndryshimet në Kodin Penal, duke ashpërsuar dënimet për shkak të detyrës. Në një tryezë me mjekët, Kryeministri Edi Rama foli edhe për krijimin e policisë së re të shtetit që do të zëvendësojë atë private.

Goditjet ndaj bluzave të bardha e jo vetëm nuk duhet të shndërrohen në një sport të njerëzve me emocione të dobëta.

“Godit mjek për shkak të detyrës. Godit policë për shkak të detyrës. Godit  punonjës  të shtetit për shkak të detyrës. Godit përfaqësues të popullit për shkak të detyrës. Godit, godit, godit”.

Që goditje të mos ketë më duhet ndërhyrë në Kodin Penal tha kryeministri Edi Rama në tryezën publike të konsultimit me mjekë dhe punonjës të sektorit të shëndetësisë.

“Ministria e Drejtësisë është duke udhëhequr këtë proces dhe goditja për shkak të detyrës do të hyjë në një kornizë të re pamundësie për diskrecion nga ana e prokurorëve dhe gjykatësve, pamundësie për të thënë “jo ishte goditja, jo nuk ishte goditje”, “jo i ra me mendje, jo i ra pa mendje”, apo për të thënë kur i ra se kishte mendjen ai që hëngri goditjen e prandaj ky që i dha goditjen, s’ka faj, ngaqë ai që nuk kishte mendjen mori goditjen dhe kështu, kush godet del përsëri i lirë në rrugë, për të goditur përsëri”.

Mjekët nuk vrasin është thirrja e kryeministrit Rama, përkundrazi shpëtojnë jetë dhe duhet përcaktuar një herë e mirë natyra e gabimit për shkak të detyrës. Prandaj u kërkon edhe mediave që të jenë më të orientuar për vrimat.

“Ju pëlqen shpesh atyre që marrin kamerat dhe i fusin nëpër vrima ende të zeza të sistemit, të thonë që ne nuk e njohim realitetin, “unë nuk e njoh realitetin”, “ministrja nuk e njeh realitetin”, ndërkohë që ne me këtë realitet merremi përditë dhe ministrja merret çdo ditë, çdo natë, çdo orë, çdo minutë. Si nuk e njohkemi ne realitetin dhe e njohkan këta, të cilët i fryjnë zjarreve të urrejtjes për mjekët dhe për infermierët, duke i futur të gjithë në një thes, të gjithë njësoj!”

Pavarësisht se si e sheh media në një pikë duket se bien dakord me shefin e qeverisë.

“Nëse do të thoshim që në sistemin tonë shëndetësor s’ka korrupsion, do të  thoshim një gënjeshtër të madhe. Por, nëse do të pranonim që në spital apo në një qendër shëndetësore në Shqipëri nuk merret shërbim pa korrupsion, do të pranonim një gënjeshtër edhe më të madhe. E vërteta është që shërbimin tonë shëndetësor e shajnë dhe e mallkojnë kryesisht ata që nuk e kanë provuar”.

Në këtë dalje publike Kryeministri Edi Rama nga njëra anë vendos ti dalë në krah mjekëve me ashpërsimin e Kodit Penal, nga ana tjetër i këshillon ta anashkalojnë dhimbjen e goditjes.

“Dhe kur të ndjeheni keq nga sulmet që i bëjnë kategorisë tuaj, ngushëllohuni duke menduar për mua. Mua nuk m’i bëjnë sulmet si kategori, m’i bëjnë si person dhe siç e shikoni, jam gjallë. E jo vetëm jam gjallë, por, pavarësisht se ç’keni dëgjuar, nuk kam ende nevojë për ju.  Mos e harroni kurrë, Niçja, – ai i Gjermanisë, jo ai i Shijakut, – ka thënë “çfarë nuk të vret, të forcon!”

Përtej eksperiencës personale, në detyrën e Kryeministrit, Edi Rama njofton se së shpejti do të merren masa edhe për të ndryshuar policinë private e cila do ti kalojë së shpejti Ministrisë Së Brendshme.

“Unë kam parë të gjitha spitalet e Shqipërisë dhe kur shoh mes turmës mjekë dhe infermierë dhe hijen e policit privat, më duket vetja si në një film nga filmat e kinostudios “Shqipëria e Re”, por nga filmat që nuk u lejuan të shfaqen për mediokritet, – jo nga ata që ishin mediokër dhe që u shfaqën, – si një film i censuruar”.

Gjithçka do të rregullohet sipas kryetarit të qeverisë. Këtë e bazon tek  shifrat, Buxheti i këtij viti është 43% më i lartë, se ai i 5 viteve më parë për shëndetësinë. Dhe numri i mjekëve të rinj të punësuar nga fillimi i 2018-ës deri sot është 340./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!