E ndërsa Presidenti Ilir Meta e pret në takim, Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me banorët e Njësisë Administrative Nr.4 në Tiranë. Nga ky takim Rama ka ironizuar kreun e shteti duke u shprehur se Meta ka marrë drejtimin e opozitës, duke qenë se kjo e fundit tashmë ka dështuar.
“Presidenti ka marrë drejtimin e opozitës, dështon Luli, ndërhyn Iliri. Është fatkeqësi e madhe për institucionin por s’kemi çfarë bëjmë. E thashë unë, erdhi dita që edhe Bujar Nishani të duket si Jefersoni. Habi e madhe. Kur bëmë marrëveshjen atëherë, që atëherë ishte e deklaruar nga të dy palët, edhe më kujtohet të nesërmen që po shkruanim pikat e marrëveshjes, ata të Presidencës na merrni në telefon, na dërgoni letrat me formë të përbashkët që jeni dakord për shtyjen e zgjedhjeve. E kërkonte me shkrim për të bërë këtë ndryshim. Ky tjetri hapni vendin se do hidhem. Edhe i hodhi benzinë zjarrit me atë marrëzinë e çfirmosjes së firmës së vetë. Ju dha një motiv sado absurd po prapë për t’u kapur, këtyre që ‘ne do mbrojmë dekretin’. Sot e ka marrë përgjigjen shumë qartë ajo histori nga Kolegji Zgjedhor edhe është pa të drejtë ankimimi”, tha Rama.
Më tej gjatë bisedës në tavolinë një qytetar e pyet nëse Meta mund të bisedojë me Lulin për të caktuar datë tjetër për zgjehdje.
Kreu i qeverisë tha se “Mund të bëjë çfarë të dojë, është nul”. Ndërsa gjatë diskutimit ai u pyet në Meta mund të shpërndajë parlamenti, sërish Rama ka theksuar se: “Ai mund të marri vendim t’i shpalli luftë Amerikës dhe Bashkimit Evropian, po çfarë domethënë kjo. Të gjithë njerëzit e kuptojnë. Pjesa dërrmuese e neverit këtë gjë, pjesa tjetër e kupton por ngaqë është në pozitë tifozlliku thotë hajt mo, por faktikisht është një marrëzi”.
Kujtojmë se mëngjesin e sotëm Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi një takim 20 minuta me kreun e PD Lulzim Basha për krizën politike. Ftesa e Presidentit iu adresua edhe Kryeministrit Edi Rama, por ky i fundit e refuzoi me argumentimin se “është në fushatë elektorale”. /abcnews.al