Kreu i qeverisë Edi Rama foli sot në Lezhë për digjitalizimin e klasave kolektive, një fenomen ky i përhapur kryesisht në zonat rurale. Rama tha se klasat kolektive janë një problem i trashëguar, që bëjnë që fëmijët të mos kenë mundësi të barabarta për të ndjekur klasat sipas moshës pranë vendbanimit. Ai u shpreh se kjo platformë i kthen klasat në pika ku mund të zhvillohen aktivitete edukimi, për të çrrënjosur orët mësimore kur fëmijët e klasave të ndryshme marrin mësime në të njëjtin ambient.
“Jemi së bashku në një shkollë të rindërtuar nga Bashkia e Lezhës. Përpjekja për të rindërtuar shkollat ekzistuese që ende kanë nevojë për ndërhyrje. Sot jemi këtu për të çuar përpara një nismë të qeverisë sonë të Ministrisë së Arsimit në mbështetje të nxënësve që janë ende në klasat kolektive. Klasat kolektive janë një problem i trashëguar por vazhdon të jetë problem duke i pamundësuar fëmijëve të kenë një trajtim të barabartë me fëmijët që kanë mundësi të frekuentojnë klasat sipas moshës dhe pranë vendbanimit. Nga ana tjetër çdo krizë me të cilën ne përballemi është edhe një mundësi.
Çdo mur që na del përpara nxit imagjinatën tonë për të bërë një sforco më shumë për ta kapërcyer. Nisma për digjitalizimin e klasave kolektive për t’i dhënë mundësi fëmijëve të kenë akses në mësim është një nisëm që kthen në mundësi një krizë e cila i ka rrënjët në të shkuarën që ne mund ta zgjidhim duke digjitalizuar rrjetin e fëmijëve që frekuentojnë klasat kolektive dhe duke i kthyer shkollat në pika ku mund të bëjnë aktivitete që kanë të bëjnë me edukimin, ndryshe nga sa mund të jenë në një klasë ku një bankë është në klasën e dytë ndërsa një tjetër është në klasën e shtatë. Jemi në kohë ta bëjmë këtë shpejt duke zgjidhur përgjithmonë një problem që qeveri pas qeverish nuk e kanë zgjidhur dot. Ne thjesht e kemi zbutur.
Ne i ofrojmë fëmijëve në klasat kolektive akses në mësim me grupin më të mirë të Republikës së Shqipërisë. Kemi përballë një armik të padukshëm që na pengon ta shohim të nesërmen me qartësi. Në këtë krizë kjo që po ndodh me arsimin është e jashtëzakonshme për atë që sjell mbrapa. Ky program i mësimdhënies digjitale nuk do reshtë as kur lufta me armikun e padukshëm të ketë përfunduar. Por do vazhdojë të zhvillohet dhe sofistikohet duke i dhënë mundës nxënësve dhe mësuesve që të adaptohen dhe të realizojnë këto orë digjitale por duke i dhënë mundësi dhe prindërve të kenë ndihmën e mësuesit pa pasur nevojë ta takojnë”, tha Rama./mv. abcnews.al