Rama kërkon 11 mandate në Fier: Jam i pakënaqur, prandaj jam këtu për të bërë më shumë gjëra

schedule19:04 - 21 Prill, 2021

schedule 19:04 - 21 Prill, 2021

Kryeministrin Edi Rama gjatë takimit elektoral në Fier kërkoi votën për Partinë Socialiste. Para mbështetësve të tij, Rama tha se vetëm PS mund ta çojë Shqipërinë në majën që meriton.

Kreu i qeverisë theksoi se nuk është i kënaqur me gjithçka që është bërë në këto vite. Por sipas tij, pikërisht se është i pakënaqur duhet të vazhdojnë përpara për të bërë edhe më shumë.

“Unë jam i pakënaqur, po të mos isha nuk do isha më këtu tju thosha vazhdojmë ngjitjen. Por pikërisht se jam i pakënaqur nuk dua t’ju them sa kemi bërë por ne kemi shumë gjëra për të bërë, ne mund ti bëjmë të gjitha sepse ne kemi forcën e karakterit. Është forca e karakterit tonë që është garancia. Dielli po lind përsëri për shqiptarët. Ne kemi forcën për ti thënë vetes se përse ky dielli ynë duhet të jetë i mrekullueshme vetëm për turistët, jo, duhet të ngrohë çdo familje shqiptare. Për ata që duan punën.

 

E di veten për të gjatë, por duhet të ngrihem në majë të gishtave për të parë ku mbarojnë këta lumenj njerëzish. Ju siguroj që ju bëni 11 mandate, unë do të bëjë 110 herë më shumë për ju. Së bashku ne do të bëjmë 1100 herë më shumë seç bënë të tërë para nesh. Kjo është koha jonë. Karakteri ynë është garancia e vetme që ka projekti i të madhit Zot që shqiptarët të ngjiten në majë,” tha Rama.

Kryesocialisti gjatë fjalës së tij u ndal edhe tek fushata e Lulzim Bashës. Sipas Ramën nëpër makinat e demokratëve janë po ata njerëz që mezi po e presin 25 prillin për përfitime personale.

“A ka një vend kaq të vogël brenda të cilit Zoti të ketë vënë bashkë kaq shumë gjëra, dy dete, male që mbajnë dëborë edhe në gusht, lumenj, fusha, pllaja, pyje, kodra, liqene. Duket vërtet sikur Zoti kur bëri Shqipërinë e bëri të dielën kur ishte pushim, e qëndisi në çdo cep. E bëri që shqiptarët të kishin gjithçka. Po si ka mundësi që ne ende nuk e kemi arritur dot që t’i transferojmë të gjitha këto dhurata që Zoti dha. Sepse çka Zoti e dha, dora e mbrapshtë e robit nuk ia lejoi shqiptarëve për një kohë të gjatë. Në historinë tonë ka pasur momente kur jemi të ndjerë të lodhur dhe të mërzitur. Në ato momente ne fatkeqësisht kemi vajtur pas berihasë. U kemi besuar personazheve që na kanë sjellë zërin e brendshëm. Këto personazhe janë futur mes nesh dhe historisë sonë gjithmonë kur është dashur që ne të kalojmë një provë të karakterit të fortë. Të dielën është përsëri një nga ato momente kur njeriu provon përmasat e tij.

Dy goditje për Shqipërinë mund të kishin qenë fatale, por ja që ne qëndruam. Ja që ne sot, një vend i vogël, këtu në mes të Evropës që mbeti jashtë skemës së vaksinimit sot është atje lart. Kur ne bëkemi të tilla sfida si nuk e ngjitkemi Shqipërinë në majën ku Zoti ua ka caktuar shqiptarëve. Pse? E dimë, na ka ndodhur shpesh edhe në jetën tonë.

I keni parë veturat që xhirojnë gomat për të sjellë ndryshimin. Brenda atyre makinave janë ata që mezi presin 25 prillin që të hapin bingot. Mezi presin që tu turren bizneseve kemi tetë vjet në opozitë çfarë ka për ne këtu. Brenda janë ata ish drejtues që i nxirrnin policët nëpër prita. Brenda janë ata që mezi po presin të rikthehet për të rihapur universitete dhe për të rrjepur prindërit. Asgjë s’ka ndryshua. Vetëm personazhi, zëri, figura dhe emri, por janë po ata që kanë marrë në qafë Shqipërinë. Është orvatja e tyre e fundit për tu bërë sërish gjarpër në këmbët e shqiptarëve. Ne duhet të vazhdojmë të ngjitemi me çdo kusht. Nuk e di të ketë prindër që janë të kënaqur me çfarë u japin fëmijëve,” deklaroi Rama. g.v/abcnews.al