Rama inspekton investimet e fermerëve në Lushnje e Kuçovë

schedule19:20 - 16 Mars, 2019

schedule 19:20 - 16 Mars, 2019

Kryeministri Edi Rama është ndalur në dy investime private. Një pikë grumbullimi të fruta perimeve në Lushnje dhe të një fermeri në Kucovë. Në të dy këto rastet, qeveria ka ndërhyrë me financime për t’i dhënë mundësinë e zhvillimit të biznesit.

I shpëtoi dëmeve nga moti i keq sepse i vendosi plastmasë serës së tij.  Fat e konsideron financimin që përfitoi nga skema kombëtare prej 6 milionë lekësh nga AZHBR.

 “Vjet në këto kohëra në 16 mars, era ka bërë një dëm të madh. Ishte fat që ndërrova plastmasën. I bëra të gjitha të reja.”​

 “Këtu jemi në një serë të ndërtuar në mbështetje të skemës kombëtare të vitit 2018. Është një serë moderne 1 ha. Në kulmin e vet është rreth 5.5 metra e lartë dhe 9 metra e gjerë, me ajrosje në çdo hark. Ka dhe 1.3 ha të tjera, ku sërish falë mbështetjes së skemës kombëtare ka marrë zëvendësimin e plastmasit”.

Në serën e re prej 1 hektarësh të Dritanit në Rreth Tapi në Kuçovë ishte edhe Kryeministri Edi Rama,jo vetëm  për të parë nga afër ecurinë e këtij investimi por për ti kujtuar shqiptarëve të mos ikin pas Berihait.

 “Kjo është baza e të gjithë skemës. Se shkojnë e mbjellin pas berihait dhe thonë pastaj nuk kemi ku e çojmë. Po normal s’kanë ku e çojnë, nëse nuk shkon sipas tregut.”

Një tjetër histori suksesi që shpërndau zyra e shtypit e kryeministrisë erdhi nga Zgjana e Lushnjes. Një fermer që sot është bërë një ndër eksportueset më të mëdha të produkteve shqiptare në Evropë. Nedrete Arapi punon me 1300 fermerë nga e gjithë Shqipëria, ndërsa në pikën e saj të grumbullimit punën ua ka besuar 40 grave të zonës.

“Që nga viti 2014, jo për tua bërë qefin se nuk dua t’ia bëj qefin askujt, mori prioritet bujqësia, pra nga 3 milion euro që ishte në ato vite ka shkuar në 7 dhe 8. Na dhatë një ndihmesë shumë të madhe. Nuk kemi patur probleme me doganat, sepse vonesat në kohë tek frutat-perimet sjellin probleme. Për 2018 kemi dalë shkëlqyeshëm. Nga  2017 në 2018, ne jemi rritur me 200 kamionë plus. Kështu që edhe këtë vit. Pra, eksportojmë 16 mijë ton prodhime.”

Për Kryeministrin, shitja në mënyrë të organizuar e produkteve është edhe garancia për të fituar.

“A-ja është bashkimi. Kur bëhen bashkë, fitojnë të gjithë. Kur rrinë secili më vete me atë parcelën e vet, i marrin trasta dhe i hedhin në rrugë dhe thonë s’kemi ku t’i shesim, po ku do të shesësh?”  Për sipërmarrësen nga Lushnja problem i pa zgjidhur ka mbetur gjetja e fuqisë punëtore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!